793 viktima vetëm dje/ Italia mbyll pothuajse gjithçka: Kriza më e madhe që pas Luftës së Dytë Botërore

22.03.2020 09:51:34

Kryeministri italian, Giuseppe Conte me anë të një video-mesazhi, ka informuar se ka urdhëruar masa të reja më të rrepta për të ndalur përhapjen e frikshme që po merr pandemia COVID-19 në Itali.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 793 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 4085 dhe në 53 578 të infektuar.

Kryeministri Conte ka informuar se qeveria ka vendosur të mbyllë çdo aktivitet prodhues, çdo fabrikë e uzinë, kantier me përjashtim të atyre që janë të domosdoshme për shtetin e për garancinë jetike të qytetarëve.

“Kjo është kriza më e vështirë që po jeton vendi që pas Luftës së Dytë Botërore. Në këto ditë të vështira jemi përballur me lajme e imazhe që na plagosin e që do lenë shenjë në kujtesën tonë dhe kur e gjitha kjo, dhe e urojmë të ndodh sa më shpejt, të marr fund. Vdekja e shumë qytetarëve tanë është një dhimbje që rinovohet çdo ditë. Këto vdekje nuk janë thjesht numra, por po qajmë histori familjesh që humbin të dashurit e tyre, Duhet të vazhdojmë të respektojmë rregullat me durim, me përgjegjësi e besim. Janë masa të rrepta e kam të qartë por nuk kemi alternativë tjetër. Në këtë moment duhet të rezistojmë, pasi vetëm kështu mund të mbrojmë veten e personat që i duam. Sakrifica jonë e qëndrimit në shtëpi është minimale e pakrahasueshme me sakrificën e qytetarëve të tjerë që punojnë në spitale. o në vende kyçe për vendin e që rrezikojnë shumë si mjekët e infermierët, forcat ushtarake, forcat e rendit, farmacistët, njerëzit e mbrojtjes civile, shitëset në supermerkata. punonjësit e shërbimit publikë e ato të informacionit, burra e gra që jo vetëm punojnë por që çdo ditë kryejnë një akt përgjegjësie të madhe ndaj një kombi të tërë, një akt dashurie ndaj Italisë.”

Kryeministri italian ka garantuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë hapur të gjitha supermerkatat, e nuk ka masa shtrënguese në oraret e tyre të mbylljes.  Gjithashtu do të vazhdojnë të jenë të hapura farmacitë, e të garantohen shërbimet bankare, postale, sigurimet, e transporti publik.