Zafir Berisha eleminohet nga gara për kryetar të Prizrenit

Zafir Berisha eleminohet nga gara për kryetar të Prizrenit

12.09.2017 21:33:18

Arriti të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës me mbi 12 mijë vota, por KQZ nuk e la të garojë për kryetar komune të Prizrenit.

Kandidati i Nismës, Zafir Berisha, i dënuar nga Gjykata me 2015 për shkak të kyçjes ilegale në rrjetin energjetik, u decertifikua në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të cilin KQZ-ja s`e kishte aplikuar kur ishte fjala për zgjedhjet e 11 qershorit.

Me të njëjtin ligj e me të njëjtin nen që është në fuqi është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës.

Por Zafir Berishës, me të njëjtin ligj i është pamundësuar që të certifikohet si  kandidat për kryetar të Prizrenit, duke qenë se ishte dënuar nga gjykata për një gjobë që i kishte dhënë KEDS-i për rikyçje ilegale në rrjetin elektrik.

Por Berisha po e sheh këtë veprim të KQZ-së si eliminim politik të tij meqë thotë se është i sigurt se do të fitojë garën për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e vjeshtës.

Berisha nga Nisma për Kosovën tha se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj këtij vendimi të KQZ-së e që shpreson se instancat e tjera do të dalin me vendim në favor të tij.

Përveç Berishës, Nismës i janë decertifikuar edhe 8 kandidatë, PDK-së 14 kandidatë, LDK-së 9 kandidatë, AAK-së 17 kandidatë, Vetëvendosjea 6 kandidatë, AKR-së 4, Partisë së Drejtësisë 7 kandidatë, Listës Serbe 5 kandidatë dhe disa nga partitë e vogla kanë nga dy apo një kandidat që janë decertifikuar.

E për decerfikimin e 86 kandidatëve në nivel vendi, nuk pati vendim unanim nga anëtarët e KQZ-së.