A mund ta rrëzojë largimi i Renzit koalicionin PD-5 Yjet në Itali?

18.09.2019 10:37:21
Matteo Renzi al bar della sede Rai di via Teulada prima della registrazione di "Porta a porta", Roma, 17 settembre 2019. ANSA/RICCARDO ANTIMIANI

Forca e tij e re politike, do të quhet “Italia Viva“, do ta ndjekin 15 senatorë e 25 ligjvënës të dhomës së ulët të parlamentit  dhe ndonëse zotohet për mbështetje të mëtejshme ndaj koalicionit të brishtë qeveritar, Matteo Renzi e shkaktoi një tërmet në politikën italiane me vendimin për tu larguar nga radhët  e socialdemokatëve vetëm katër javë përpara se ekzekutivi I ri  të paraqesë një buxhet të Italisë të pranueshëm nga Bashkimi Europian.

Largimi I tij përcan PD-në dhe I gërryen ndjeshëm pozitat e saj në koalicionin “anti-Salvini“, të cilin vetë Renzi e kishte paralajmëruar qe përpara se të farkëtohej; madje nga the Guardian, ai përshkruhet  si “arkitekti“ I aleancës PD-5Yjet me qëllimin e qartë që të përmbysej qeveria e ekstremit të djathtë e të shmangej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me siguri do të katapultonin Matteo Salvinin në krye të ekzekutivit.

“Fitorja që siguruam në parlament kundër populizmit dhe ish-zëvendëskryeministrit Salvini ishte e rëndësishme për të shpëtuar Italinë, por nuk është e mjaftueshme,” shkroi Renzi në Facebook. “Tani është koha të ndërtojmë një shtëpi të re, novatore, feministe … ku të fillojnë idetë për Italinë dhe Evropën. Ka një hapësirë ​​të madhe për politika ndryshe“, ishte mesazhi I tij. Në Itali, kjo nuk qe një lëvizje krejtësisht e papritur. Renzi duket I kishte akumuluar pakënaqësitë që kur u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër dhjetorin e 2016 pas humbjes poshtëruese në referendumin mbi reformën kushtetuese. Kësaj iu shtua edhe fakti që më vonë u shtrënguar të “dorëzonte“ edhe kryesimin e partise socialdemokrate.

Nuk janë një sekret pastaj, përplasjet e tij me liderin aktual të saj, Nicola Zingaretti, përfaqësues I krahut të majtë. Për momentin, nuk është I qartë objektivi afatgjatë i renzit. Disa analistë italianë mendojnë se synon sërish pushtetin dhe rikthimin si kryeministër; ai vetë pat thënë për “ the Observer “ në gusht se ideja e tij e një koalicioni  PD-M5S ishte të “shpëtohej Italia“ e jo t`i jepte një impuls të ri karrierës së vet politike. Por ndërkohë, tani thotë se “Di Maio nuk e bind“.

“Nuk mund ta mbarosh të gjithë punën politike përmes votimit në internet, për mua politika është diçka e ndryshme nga një algoritëm që duhet ndjekur”, ishin saktësisht fjalët e tij, një referim ky ndaj kërkesës që anëtarët e lëvizjes anti-establishment të votonin në platformën online  “Rosseau” në lidhje me koalicionin dhe shumë ligje të tjera. Pavarësisht deklaratave të tij mbështetëse për qeverinë, është e qartë, se herët a vonë, pasojat e përçarjes së socialdemokratëve do të nisin të shfaqen. Në dhomën e deputetëve, siç thekson DW, koalicioni qeverisës e ruan shumicën e tij edhe pa trupën e Renzit. Në Senat megjithatë, puna është më e vështirë.

Atje, koalicioni, i cili përfshin edhe partinë e vogël të krahut të majtë “Liberi e Uguali”, ka të ngjarë të ketë vetëm një shumicë të vogël mandatesh. Salvini ndërkohë është shumë I lumtur, dhe fërkon duart, në pritje të zhvillimeve që mund t`i sjellin zgjedhjet e shumëdëshiruara parlamentare, dhe fitoren e Legës, ashtu siç parashikojnë sondazhet.