Agjencia ruse e lajmeve shkruan se Bajram Gecaj do ta udhëheqë delegacionin kosovar në Nish

22.08.2016 11:22:55

Agjencia ruse e lajmeve Sputnik, shkruan se Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, do të marrë pjesë në takimin mes Aleksandër Vuçiq e Edi Ramës, që është paralajmëruar se do të mbahet në Nish të Serbisë, në formë të një forumi ekonomiko-biznesor.

Madje sipas Sputnik, Gecaj, që është edhe këshilltar i Kryeministrit Isa Mustafa, do të jetë udhëheqësi i delegacionit kosovar në Nish.

Por këto raportime i ka hedhur poshtë si të pavërteta vet Gecaj. Ai madje është shprehur i habitur kur është pyetur për këtë çështje nga Klan Kosova.

Se nuk do të ketë një delegacion kosovar që do të udhëtojë krah kryeministri Rama në Nish, e ka bërë të qartë ditë më parë edhe zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.

Abdullahu ka thënë se nuk do të jenë prezent në Nish në kurrfarë niveli zyrtar.

“Gjitha janë spekulime. Ne nuk kemi ftesë dhe nuk do të jemi atje. Nuk shkojmë atje me përfaqësu as nivel të lartë as të ulët, thjesht janë spekulime mediale apo të natyrave të ndryshme”.

Madje edhe vet kryeministri shqiptar Rama ka mohuar të ketë negociuar që ndonjë delegacion nga Kosova të jetë pjesë e atij takimi dypalësh Shqipëri-Serbi.

“Nuk e kam ndërmjetësuar pjesëmarrjen e niveleve të larta të qeverisë së Kosovës në këtë takim dhe  as s’më është kërkuar dhe as s’e kam kërkuar një gjë të tillë”, pati thënë Rama në një intervistë për Klan Kosova të premten e kaluar.