Aktakuzë ndaj pesë të pandehurve për keqpërdorim detyre dhe mashtrim

12.06.2019 16:39:36

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.Sh., G.L., R.Zh., dhe G.Sh., për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar kundër të pandehurit I.K., për veprën penale mashtrim sipas Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit për media, i pandehuri, D.Sh., akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Pejës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9.929 euro.

Ndërsa, të pandehurit, G.L., R.Zh., dhe G.Sh., si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës së lartcekur.

I pandehuri, I.K., në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, i ka shkaktuar dëme buxhetit komunal të Pejës në vlerë 9.929 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.