Ambasada amerikane mbështetë futbollistin serb: Kosova është shtëpia juaj

23.02.2020 11:01:23

Ambasada amerikane në Prishtinë ka mbështetur futbollistin serb, Ilija Iviq, i cili ka vendosur që të luajë për Kosovën.

Vendim ky, që futbollistit serb i kushtoi me largimin nga puna të dy prindërve.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada amerikane thotë se Iviq me veprimin e tij ka inspiruar shumë të rinj në Kosovë, derisa thekson se politika nuk ka vend në sport.

“Urime për Ilija Iviqin. Ai po inspiron të gjithë të rinjtë në Kosovë që të punojnë shumë, të zhvillojnë talentin dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Politika nuk ka vend në sport. Ky është një moment për të festuar diversitetin dhe një atlet të talentuar në Kosovë. Kosova është shtëpia juaj”, thuhet në postimin e ambasadës.