‘Argumenti i dordolecit’ ndaj Metës e futi Ramën në rrugën pa kthim

12.06.2019 09:44:55

Kohët e fundit ishte krijuar plotësisht bindja se të debatoje me kryeministrin Edi Rama po kthehej në mision të pamundur. Një parim në psikologji thotë se nuk duhet të diskutosh kurrë me dikë që beson gënjeshtrat e tij. E megjithatë, studiot e netëve të gjata pranverore gëlonin nga përpjekjet e disa gazetarëve për t’ia mbushur mendjen Edi Ramës se po shkelte ligjin, se po kthehej në autokrat, se e kishte bërë Shqipërinë një narkoshtet, se duhej të dorëhiqej etj. Kjo histeri bëhej gjithmonë e më qesharake, por ky nuk është momenti për të diskutuar shumë për të. Pas çdo akuze nga politika apo nga ‘kazani’ mediatik, kryeministri e kishte përgjigjen gati: mungon elementi juridik.

Pikërisht kur Shqipëria po shkonte symbyllas drejt një situate të rrezikshme dhe të paparashikueshme, presidenti Ilir Meta gërmoi dhe i solli në tryezë kryeministrit Edi Rama atë që po e kërkonte: situatën juridike. Kreu i shtetit prodhoi një moment ligjor me shpresën se kjo do i jepte pak frymëmarrje situatës së ndezur politike, për të shkuar ndoshta te një marrëveshje që do i jepte fund krizës në vend. Ilir Meta mund ta ketë ditur atë që do e priste, por format e reagimit ndonjëherë të tmerrojnë.

Në kushtet kur drejtësia në vend është një kantier i hapur dhe ‘djepi’ i Gjykatës Kushtetuese është bosh, Meta edhe mund të ketë menduar ta shfrytëzojë këtë moment në favorin e tij. Tek e fundit, a nuk po thonë edhe të huajt se këtë boshllëk të Kushtetueses më shumë se të gjithë e ka shfrytëzuar qeveria? Meta gjeti precedentin, gatoi arsyetimin e tij juridik dhe e prezantoi. Përgjigjja ndaj tij ishte tipike nga ato të një lideri autokratik. Pak sekonda pasi e dëgjoi deklaratën e Metës, pa e parë farë arsyetimin e tij ligjor, e shpalli si të rrëzuar.

Dhe ashtu siç ka bërë zakonisht Edi Rama, përdori ‘Argumentin e dordolecit’, duke iu kundërvënë dekretit të Metës me disa nëpunës të nënshtruar në KQZ. ‘Argumenti i dordolecit’ thotë se duhet t’i përgjigjesh argumentit të tjetrit në mënyrë të ekzagjeruar për ta diskredituar. Në këtë rast, dordolecët ishin në trupën më të rëndësishme zgjedhore në vend. Rama harron se këtë herë nuk është duke bërë humor politik, por në lojë janë ligjet.

Do duhet të kalojë pak kohë përpara se të kuptojmë plotësisht se këto gjëra që po bën Edi Rama janë shumë të rënda. Për momentin plagët janë të nxehta dhe ndoshta nuk e kuptojmë situatën. Por pas disa kohësh do na qartësohet se damka si kjo e narkoshtetit, e sundimit të bandave, e manipulimeve zgjedhore dhe këto marrina gjasme ligjore, janë më shumë se skandaloze.

***

Në një shkrim të publikuar para disa kohësh kam cituar një prokuror amerikan, Adam Foss, që me sinqeritetin e tij, ka bërë për vete shumë njerëz nëpër botë. Ai thotë pak a shumë se si për një moment e kuptoi se fuqia ligjore që kishte në duar ishte kaq e madhe, sa mund të shkatërronte krejt kollaj jetët e njerëzve.

Në fakt ky është thelbi i shumë gjërave që lidhen me drejtësinë. Ata që merren me ligjet e dinë se korpusi që kanë përpara, ligjet dhe Kushtetuta, janë si një oqean ku mund të fusësh dorën dhe mund të nxjerrësh prej andej çfarë të duash. Madje mund të ndërtosh edhe diktaturë duke pretenduar se po i nxjerr ligjet nga thesi i demokracisë. Por dallimi i madh, sipas Foss, vjen te qëllimi për të cilin e ke futur dorën në thesin e madh të ligjeve. Kështu, presidentin dhe politikanin Ilir Meta mund ta akuzosh, por në rastin konkret nuk mund të mohosh se ai e ka futur dorën në thesin e ligjeve për ta përdorur situatën për një qëllim të mirë: parandalimin e zgjedhjeve monopartiake në vend. Në fund të fundit, mbajtja e këtyre zgjedhjeve do ishte e rëndë për Shqipërinë dhe ndoshta do e bënte të pakuptimtë edhe vetë Kushtetutën. Ajo që ofroi presidenti ishte thjesht më shumë kohë. Kjo ishte edhe arsyeja që gjermanët racionalë ishin të parët që dolën në punë të dielën për të deklaruar mbështetjen për këtë hap të presidentit.

Acarimi i kryeministrit Edi Rama, edhe pse disa thonë se mund të jetë i përkohshëm dhe ndoshta pjesë e lojës- tregoi se ai nuk e ka kuptuar edhe sot e kësaj dite lojën demokratike. Ai tregoi qartë se Meta i ka zhytur një ‘top’ në fushën e tij, duke e detyruar kryeministrin që të bëjë një shërbim plot zemërim, me shpresën se mjafton të gjuash topin fort. Duke harruar se kur e gjuan fort, shanset janë që ta nxjerrësh topin jashtë fushe.

***

Politologu i njohur, Ivan Krastev thotë se në mënyrë që të ndërtosh besimin në demokraci, duhet të kuptosh se është e nevojshme që të ndryshosh vazhdimisht qëndrimet, pasi thelbi i sistemit është që të tregosh ‘common sense’. Por teksa Meta ishte i qartë në komentet e tij se po tregon ‘buonsens’, Rama e ka nxjerrë topin jashtë fushës shqiptare, duke ua plasur te këmbët spektatorëve ndërkombëtarë.

Rama thotë se është tre hapa para në këtë lojë, por në këtë rast ka treguar se jo vetëm nuk është para, por me lëvizjen e fundit po bën tri faulle të rënda:

Fillimisht, po u thotë shqiptarëve dhe të huajve se ligji është diçka në dorën e tij, të cilën mund ta interpretojë vetë si të dojë. Qoftë edhe duke përdorur disa leva në KQZ.

Së dyti, duke treguar se historia e uzurpimit të pushteteve, për të cilën janë ankuar vazhdimisht opozita dhe media, nuk është një fabul e ngritur nga kundërshtarët. Nisma për shkarkimin e Ilir Metës është shumë e rëndë, por po kaq e rëndë është të tregosh në sytë e të gjithë botës se sa kollaj ‘përdhunohet’ nga qeveria institucioni kryesor që duhet të kujdeset për zgjedhjet në Shqipëri (a nuk ka nisur kjo krizë për faktin se opozita akuzon Ramën se nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të lira me çdo mënyrë?).

Së treti, situata po tregon se vullnetin më të madh për të shkuar në zgjedhje njëpartiake e paska vetë kryeministri. Instinkti shkatërrimtar i demokracisë nuk qenka problem i opozitës, siç na e kanë ‘gatuar’ në tavolinat e qeverisë.

***

Pas akuzave se opozita është çmendur, se media e huaj dhe shqiptare është ‘kazan’, në listë është shtuar edhe presidenti Ilir Meta. Mirëpo në psikologji thuhet se kur i akuzon të gjithë të tjerët si të çmendur, shanset maksimale janë që të jesh i ‘lojtur’ vetë.