Bahtiri, zyrtarit rus: S’mund t’i detyrojë serbët të kthehen

09.03.2017 14:08:36

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri i është përgjigjur deklaratave të shefit  të zyrës diplomatike ruse në Kosovë Andrej Lisovoj rreth kthimit të serbëve të zhvendosur.

Bahtiri ka thënë se çdo serb është i lirë të kthehet në Kosovë, madje ai ka përmendur dhe angazhimet që janë bërë në këtë drejtim. ‘

‘’Çdo serb nëse ka dëshirë, është i lirë të kthehet. Ju e dini se në fshatin Frashër, ne u kemi ndërtuar edhe shtëpi serbëve e ata s’janë kthy. Unë nuk mund t’i detyrojë të kthehen me zor’’.

Ky deklarim i Bahtirit vije pasi zyrtari rus Lisovoj në konferencën ‘’Bashkëpunimi në mes komunave’’ tha se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të themelohet shpejt.

‘’Nuk është në rregull që katër vjet kanë kaluar dhe asgjë nuk është bërë në këtë aspekt, nuk është në rregull që asnjë serb nuk jeton në jug, çfarë bashkëpunimi është ky’’ kishte deklaruar zyrtari Andrej, njofton Klan Kosova.

Veç tjerash Kryetari Bahtiri ka kërkuar nga Lisovoj të ndikojë në Rusi që ta njeh Pavarësinë e Kosovës e po ashtu të ketë ndikim edhe në Serbi për diçka të tillë, pasi sipas tij shqiptarët përndryshe nuk  mund të kthehen në veri.

”Në Veri shqiptarët s’mund të kthehen e lus zotin Andrej që të njohë Pavarësinë e Kosovës. Kërkoj energjitikisht që zotria të ndikojë në Rusi që ky vend ta njohë Kosovën si shtet dhe të kërkojë edhe  nga Serbia ta njohë Kosovën”, është shprehur Bahtiri.