Bashkimi i dy Gjermanive dhe bashkimi i shqiparëve

03.10.2016 18:47:49

Nga Rexhep Kastrati

1

Më 3 tetor 1989 u realizua bashkimi i Gjermanisë Federale, apo Gjermanisë Perëndimore, me Gjermaninë Demokratike, apo Gjermaninë Lindore, që erdhi si pasojë e prishjes së bllokut socialist në krye me BRSS-në. Fakti se ky bashkim erdhi si pasojë e prishjes së bllokut socialist në krye me BRSS, është një fakt që bën të qartë se proceset e ndryshme politike, diplomatike e për më tepër gjeopolitike e gjeostrategjike nuk udhëhiqen nga dëshirat dhe as nuk realizohen në bazë të dëshirave, por në bazë të rrjedhës së tyre që nuk varet vetëm nga dëshirat e njërës apo shumë palëve të ndryshme. Ndarja e Gjermanisë që erdhi si pasojë e ndarjes së botës në blloqet e mëdha gjeopolitike, gjeostrategjike, por edhe ideologjike, por që u mor për bazë përgjegjësia e Gjermanisë për fillimin  e Luftës së dytë Botërore dhe për dëmet që ka bërë, ishte dënimi i dytë i madh që këtij shteti i bëhej nga Fuqitë  e Mëdha: hera e parë ishte në Konferencën e Vrësajës (1919 -1921) që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Ajo Konferencë e kishte dënuar Gjermaninë me një borxh prej 666 milardë stërlina për dëmet e shkaktuara shteteve të tjera. Kështu, ndarja e Gjermanisë në Gjermaninë Lindore, të kontrolluar nga BRSS, dhe në Gjermaninë Perëndimore, të kontrolluar nga SHBA, Britania e Madhe dhe nga Franca, ishte dënimi i dytë i madh, të cilin kombi gjerman e vuajti për një gjysëmshekulli. Por, ajo që vlen të thuhet me një theks të veçantë është se kombi gjerman kishte mësuar nga përvoja ndërmjet dy luftërave botërore: rritja e nacionalizimit në nivel të një ideologjie hegjemoniste që do të prodhonte Hitlerin, si shprehje e dëshpërimit, të zhgënjimit dhe të ndjenjës së poshtërimit që i ishte shkaktuar nga dënimi nga Konferenca e Vërsajës, ishte e dëmshme dhe e rrezikshme për vetë atë. Pra, kombi gjerman kishte mësuar nga historia dhe nuk e kishte përsëeritur atë: nuk kishte prodhuar ideologji raciste dhe hegjemoniste, por në përputhje me realitetin socio-politik, gjeopolitik e gjeostrategjik kishte punuar me mençuri, me durim, me kujdes dhe me vendësmëri për të realizuar qëllimin: ribashkimin kombëtar. Kombit gjerman iu deshën gjysëmshekulli punë, angazhim, pritje, durim  që të vinte dita e 3 tetorit 1989 që kancelari Helmut Khol të shpallte bashkimin e dy Gjermanive.

2

Nga rasti i kombit gjerman, shqiptarët mund dhe duhet të mësojnë se nacionalizmi emocional, nacionalizmi që nuk përfill realitetet socio-politike, gjepolitike e gjeostrategjike, është i dëmshëm për vetë kombit shqiptar. Po ashtu, shqiptarët duhet të mësojnë se vetëm me durim, me punë, me angazhim të kujdesshëm dhe duke marrë parasysh mundësitë, kontekstet gjeopolitike e gjeostrategjike mund të arrijnë të realizojnë aspiratat kombëtare. Sikurse kombi gjerman, edhe shqiptarët duhet të punojnë të forcohen në të gjitha aspektet: shtetërore, ekonomike, ushtarake, diplomatike dhe të jenë në përputhje me rrjedhat e proceseve rajonale dhe botërore. Shqiptarët duhet të kenë parasysh se as bashkimi i dy Gjermanive, as shteti i Kosovës nuk do të ndodhnin po të mos rrënoheshin dy perandoritë komuniste: BRSS dhe RSFJ, prandaj edhe gjithë zhvillimet e gjertanishme bazën e kanë pikërisht aty. Pra, është konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik është shumë i rëndësishëm dhe përcaktues edhe për procese të tilla si bashkimi apo shpërbërja e shteteve. Përkthyer në rastin tonë, i bie që shqiptarët duhet të respektojnë parimet mbi të cilat është ka filluar procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, por të punojnë fort, sikurse kombi gjerman me durim, me kujdes dhe me mençuri që të forcohen dhe të bëhen faktorë që mund të përfitojnë nga procese rajonale dhe botërore. Çështja shqiptare, sikurse çdo çështje kombëtare nuk është çështje izoluar, nuk është çështje vetëm e shqiptarëve, ashtu sikurse as ndarja e kombit dhe copëtimi i territoreve shqiptare nuk ka qenë çështje e vullnetit të tyre. Te rasti i kombit gjerman, shqiptarët kanë dy modelet e nacionalizmit dhe pasojat e tyre: modeli i nacionalizimit që erdhi nga dëshpërimi, zhgënjimi dhe ndjenja e poshtërimit që polli ideologjinë raciste dhe hegjemoniste që e futi në luftë me të gjithë, por që përfundoi me ndarjen e kombit dhe të shtetit gjerman, dhe modelin e nacionalizmit që erdhi nga arsyeja, nga urtia dhe nga mësimet që kish marr nga modeli i parë i nacionalizmit. Modelin e nacionalizmit racional, të urtë dhe të kujdesshëm e ka trasuar presidenti Rugova që e udhëhoqi një proces të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, e që e bëri në bashkërendim me partnerët dhe aleatët tanë në kuadër të proceseve gjeopolitike e gjeostrategjike, kurse modelin e nacionalizmit emocional e përfaqëson sekta okulte e Albinit dhe të tjerët si kjo që bazuar në ndjesitë e shqiptarëve për bashkim, ka synuar dhe synojnë që të fusin shqiptarët në një luftë me të gjithë dhe për të përfunduar me ricopëtimin e kombit dhe të territoreve shqiptare. Dhe gjithë këtë synojnë ta arrijnë në kundërshtim me partnerët dhe aleatët tanë strategjikë