Beteja e turizmit në Venecia dhe lufta ndaj anijeve të mëdha

08.08.2019 16:22:53

Venecia është një prej vendeve më të vizituara në botë. Çdo ditë aty ankorohen anije të mëdha dhe vërshojnë mijëra turistë. Por edhe pse turistët janë të mirëpritur, anijet e mëdha po e kërcënojnë perlën e Italisë, “Trashëgimi Kulturore Botërore”.

Ministri i transportit në Itali ka propozuar një plan për devijimin e anijeve të lundrimit nga qendra historike e Venecias. Ministri propozon që një e treta e anijeve të mëdha të ankorohen në porte të tjera deri në vitin e ardhshëm

Danilo Toninelli tha në një seancë parlamentare të Mërkurën se anijet mund të zhvendoseshin gradualisht nga terminali Marittima dhe të ankorohen në Fusina, një port i vogël në Venecia, ose në Lombardia, një terminal privat, duke nisur nga shtatori.

Toninelli ka qenë nën presion për të gjetur një zgjidhje, pas një incidenti që ndodhi në qershor, ku katër persona mbetën të plagosur pasi një anije pasagjerësh u përplas me një kroçere në një kanal portual në Venecia.

Incidentet kanë ringjallur protestat kundër anijeve të mëdha dhe thirrjet e banorëve për t’i ndaluar ato nga laguna e Venecias. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Venecias duke kërkuar që anijet e mëdha të ndalohen të hyjnë në kanalin Giudecca të qytetit.

Ministri, fillimisht sugjeroi devijimin e linjave të lundrimit në Chioggia, një port në jug të Venecias. Por një vendim përfundimtar do të duhet të merret nga një komitet që përfshin ministrinë e transportit dhe autoritetet lokale dhe rajonale.

“Këto janë hipoteza të Toninellit … asnjë zgjidhje zyrtare nuk është vendosur,” tha një burim në këshillin e Venecias.

Nicola Ussardi, një anëtar i grupit aktivist No Big Ships, tha: “Ka shumë kaos që rrethon çështjen në përgjithësi. Por këto janë vetëm deklarata, asgjë zyrtare. “

Kryetari i Venecias, Luigi Brugnaro dhe Luca Zaia, presidenti i rajonit Veneto, gjithashtu janë përjashtuar nga diskutimet në lidhje me propozimet alternative.