Blerta Deliu: Qeveritë do ta kenë fatin e shkurtër nëse dialogun s’e trajtojnë si agjendë kombëtare

29.07.2020 13:33:03

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka komentuar mospajtimet brenda koalicionit aktual qeverisës në Kosovë.

Me anë të një postimi në Facebook, Deliu ka thënë se në Kosovë konsiderohet se dy qeveritë e fundit kanë rënë si rrjedhojë e mospajtimeve të partnerëve për dialogun,

Sipas saj, përplasjet e fundit po tregojnë se as koalicioni aktual nuk e ka dakorduar këtë çështje.

“Qeveritë duhet ta trajtojnë dialogun si agjendë kombëtare ku përfshinë gjithë faktorët politik dhe publik, përndryshe do ta kenë fatin e njëjtë, të shkurtër”, thuhet në postimin e saj.

Postimi i plotë:

Shkaktarë për rënien e dy qeverive paraprake konsiderohet se kanë qenë mospajtimet mes partnerëve të koalicionit rreth çështjes së dialogut.

Qeveria e fundit nuk i përballoi këtij presioni më shumë se 50 ditë dhe mospajtimet rreth qasjes dhe menaxhimit të çështje së dialogut rezultuan rënien e saj.

Prandaj, pas këtyre dy përvojave ka qenë absolutisht e papërgjegjshme të krijohet një Qeveri e radhës pa pajtimin paraprak rreth dialogut.

Shpërthimi i përplasjeve të fundit publike mes partnerëve të koalicionit dëshmon qartë se ata nuk e kanë dakorduar paraprakisht këtë çështje, gjë që demanton arsyetimin thelbësor mbi të cilën kanë krijuar Qeverinë.

Qeveritë duhet ta trajtojnë dialogun si agjendë kombëtare ku përfshinë gjithë faktorët politik dhe publik, përndryshe do ta kenë fatin e njëjtë, të shkurtër.

Kryeministri duhet të përçojë qartësinë politike të Kosovës në takimet e dialogut e jo dilemat e saj.