Britania e Madhe ndalon planet për centralin bërthamor

29.07.2016 16:49:44

Planet për të ndërtuar centralin e parë bërthamor britanik pas 20 vitesh pësuan një ndalesë të papritur. Qeveria e re britanike ka shtyrë vendimin final për në vjeshtë.

Gjatë një mbledhje bordi, kompania franceze EDF, e cila financon pjesën më të madhe të projektit “Hinkley Point”, me një vlerë prej 18 miliardë sterlina, e miratoi financimin.

Ndërkohë që të premten pritej që kontrata të firmosej, ministri britanik i Biznesit Greg Clark, tha se qeveria do ta konsiderojë me shumë kujdes projektin para se të vendosë që ta mbështesë apo jo atë.

Në lidhje me këtë projekt, kritikët janë shprehur se ai do të dëmtojë ambientin dhe paraqet rrezik që të kapërcejë kostot e parashikuara me disa miliarda të tjerë.

Njëkohësisht ata janë të shqetësuar se centrali bërthamor po ndërtohet nga qeveri të huaja, pasi një e treta e vlerës është siguruar nga investitorë kinezë.

Ekspertët thonë se qeveria është frenuar pas raporteve të shumta që flasin për kostot e larta që do të ketë prodhimi i energjisë në këtë central, ndërkohë që prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme po bëhet gjithnjë e më i lirë.

Kompania franceze EDF kishte parashikuar që vitin e ardhshëm të ketë 2500 punonjës në central, por ngurrimi i qeverisë së re britanike duket se ka frenuar këto plane. Pritet që centrali i ri bërthamor të sigurojë 7 për qind të energjisë elektrike që i duhet Britanisë së Madhe.