Britania në karantinë, masa drastike në të gjithë vendin

24.03.2020 11:30:41

Edhe Britania nis izolimin total. Kryeministri Boris Johnson vendosi që të mbyllen të gjitha dyqanet që nuk shesin të mira thelbësore, parqet dhe kishat në Britani, duke i këshilluar britanikët që të mos dalin nga shtëpia.

Gjithashtu, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit, nuk do të lejohen grupet me më shumë se dy persona.

Në një fjalim drejtuar kombit, Johnson tha se duhen anuluar të gjitha mbledhjet familjare, dasmat, pagëzimet apo evente të tjera sociale, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos bjerë në kolaps. Përjashtim bëjnë vetëm funeralet, me kusht që në to të jenë të pranishëm vetëm pak familjarë.

“Edhe pse shumica i keni respektuar udhëzimet tona, ka ardhur koha që të marrim masa të tjera. Nga sot, ju jap vetëm një udhëzim: qëndroni në shtëpi”, u shpreh kryeministri i Britanisë.

“Njerëzit duhet të dalin nga shtëpia vetëm për blerjet e domosdoshme, ndihmë mjekësore ose për në punë, nëse është absolutisht e pamundur puna nga shtëpia”, tha Johnson.

Policia, sipas Johnson, ka autorizimin që të gjobisë këdo që e shkel karantinën.