Brukseli pa “Plan B” për refugjatët

04.08.2016 14:53:23

Në rast të dështimit të marrëveshjes BE-Turqi, Brukseli nuk ka “Plan B” për refugjatët

Përkundër kontrollit më të ashpër të kufijve të Bashkimit Evropian në Mesdhe dhe përkundër marrëveshjes me Turqinë, numri i refugjatëve të cilët kanë vdekur këtë vit gjatë përpjekjeve për të hyrë në Evropë gati është dyfishuar, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Më shumë se 3 mijë njerëz kanë vdekur në ujërat e Detit Mesdhe që nga fillimi i këtij viti, për dallim nga 1900 sa kanë vdekur në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Është menduar se marrëveshja me Turqinë dhe vendosja e sistemit për kërkimin legal të azilit në Evropë do të ndalin përpjekjet për kalimin ilegal të kufijve. Është e vërtetë se numri i rasteve të kalimit ilegal të kufijve ka rënë dukshëm, por vetëm kur bëhet fjalë për kalimet nga Turqia në Greqi. Tani trafikuesit e qenieve njerëzore refugjatët po i bartin nga brigjet e Afrikës në drejtim të Italisë.

Megjithatë, zyrtarët në Bruksel kanë thënë se shifrat nuk tregojnë gjendjen reale, pasiqë që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes me Turqinë, numri i rasteve të vdekjes së refugjatëve ka rënë dukshëm.

Por pikërisht marrëveshja me Turqinë ka brengosur tej mase Athinën zyrtare, e cila ka kërkuar nga Brukseli që të hartojë një Plan B, i cili do të shërbente si alternativë, nëse dështon marrëveshja me Ankaranë, për shkak të tendosjes së marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Perëndimit, pas dështimit të puçit ushtarak në Turqi, më 15 korrik.

Megjithatë, pasiqë askush në Bruksel nuk e ka menduar seriozisht mundësinë e dështimit të marrëveshjes me Turqinë, mbetet që zyrtarët e unionit vetëm të shpresojnë se marrëveshja nuk do të dështojë, përkundër akuzave të Ankarasë në drejtim të Bashkimit Evropian.