Bujanoc: Nuk shembet pushteti me shpifje dhe sharje

13.05.2018 13:05:10

 

Kohëve të fundit, në Komunën e Bujanocit, kanë ngritur kokë disa rrjete sociale në internet, të cilat mundohen ta shembin pushtetin me shpifje, sharje e fyerje.

    
Nga Sevdail Hyseni 

Këto rrjete sociale të facebook-ut, harrojnë se pushtetet nuk janë kulla prej rëre dhe letre, që të shemben dhe rrëmbehen lehtë, shpejt dhe pa zarar. Ato janë ngritur në saje të votës së lirë të qytetarëve dhe koalicioneve parimore, këtë ata shumë mirë e dinë, por janë verbuar nga mentorët e tyre politikë, të cilët nuk e kryejnë misionin e tyre prej opozitari konstruktiv, por rreshtohen në taborin e kundërshtarëve mitikë siç është Beogradi.

Pushteti e ka dorën e gjatë, ai nuk flet, por vepron. Thënë shkurt, pushteti është si një lum, që nuk bënë zhurmë, ashtu siç bëjnë përroskat me gurgullimin e tyre.

Opozita e njeh forcën e pushtetit, ndaj duke pasur frikë nga përballja direkte, përdor këto rrjete sociale, të paregjistruara, të cilat të ndërsyera nga financuesit e tyre: shpifin, shajnë, dezinformojnë dhe shantazhojnë pa fund.

Kjo politikë destruktive opozitare, paraqet mjerimin e një filozofie degraduese, e cila kuptimin e gjen te fjala e urtë popullore: “Shpifja është arma e të ligut!”.

Opozita e Bujanocit edhe pse e ka të qartë se “Fyerja dhe shpifja, ligjërisht janë të dënueshme”, ajo përkundrazi i nxitë rrjetet sociale për të cenuar nderin dhe dinjitetin e përfaqësuesve institucionalë.

Shpifjet që bazohen në gënjeshtra dhe ngjyrosen me fyerje dhe sharje nga më të ulëtat, nuk falen lehtë, sepse ato janë të qëllimshme dhe me porosi nga shefat e atyre, që ushqejnë administratorët e rrjetave sociale, të cilat kurrë nuk u bënë portale informative.

Rast konkret kemi Faqen e Facebook-ut: www.bujanoci.info  e cila, thënë të drejtën, është bërë një telall i Partisë Demokratike, të Nagip Arifit, duke hedhur baltë e pluhur kundër pushtetit aktual dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

Po rastisi ndokush të hap këtë farë faqe të zezë të bujanoci.info, të zë trishtimi për të gjitha ato informata, që plasohen për publikun me përplot gënjeshtra, shpifje, pallavra, dezinformata, shantazhe, montazh etj.

Kur ndalet njeriu dhe mendon se kush fshihet para këtyre skenareve dhe drejtuesve të këtyre rrjeteve sociale, nuk e ka vështirë të vijë në përfundim se të tillët nuk janë mirë, nuk janë në rregull, nuk janë në terezi e as që kanë qenë ndonjëherë edhe kur kishin pushtet, privilegje dhe benefite.

Ky lloj i njerëzve sojsëz, që gjuajnë gurë e fshehin dorën, një ditë do të përballen me drejtësinë shqiptare, pavarësisht “depenalizimit të fyerjes dhe shpifjes” sipas akteve ndërkombëtare të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas Nenit 10, në të cilin thuhet: “Çdo kush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshinë lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose dhënë informacion ose ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë…”

Nëse është hequr delikti verbal nga censura partiako – shtetërore,  në favor të lirisë së shprehjes, nuk do të thotë se ajo të keqpërdoret nga keqpërdoruesit e rrjeteve sociale siç është ajo e www. bujanoci.info, apo ndonjë tjetër si kjo.

Por, kur cenohet autoriteti i pushtetit dhe individit nuk hesht as Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas paragrafit 2, të Nenin 10, të saj parasheh edhe dënime: “Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohen disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji”.

Prandaj edhe për shpifarakët, gënjeshtarët, llomotitësit, gojëkëqijët e matrapazët e rrjeteve sociale fantome, do t’ju buzëqesh fati në gjyq, duke dhënë llogari për të gjithë ato sharje e fyerje pa mbulesë.

Sorollatja e tyre nëpër korridoret e gjykatave, do t’i mbush mend gjithë ata që për stil të jetës kanë begenisur shpifjen e sharjen, duke përfituar shpërblime të pista e të dyshimta, ashtu siç janë ata vetë misteriozë.