Burim Ramadani: Ushtria nuk është çështje ditë,nuk bëhet pa partnerë

Burim Ramadani: Ushtria nuk është çështje ditë,nuk bëhet pa partnerë

18.03.2017 13:26:59

Kohën e fundit ka pasur përplasje deklaratash mes ndërkombëtarëve dhe Kosovës rreth transformimit të FSK-së në Ushtri.

Mirëpo, analistët thonë, se Kosova nuk duhet të prish raportet me ndërkombëtarët, por thonë se ushtria duhet të formohet.

Sipas Burim Ramadanit nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC, ushtria nuk është çështje ditë, duke thënë se kjo çështje e tejet komentuar po përdorët për të manipuluar opinionin publik.

“Askush nuk mund të prishë raportet dhe partneritetin e Kosovës me SHBA-në dhe NATO-n. Kjo është iniciativë e cila duhet të përcillet me përpjekje intensive të gjithëmbarshme për të ndërtuar mundësinë e përbashkët me partnerët që të ndryshojë misioni i FSK-së. Por, është iniciativë dhe jo përfundim i procesit. Ky proces do të merr një kohë dhe nuk është çështje orësh apo ditësh. Kushdo që ndërton percepsionin se i procesi është çështje shumë e shpejt, besoj se e ka kuptuar gabim apo ka qëllim manipulimi të opinionit publik”, ka thënë Ramadani.

Ai për lajmi.net ka thënë, se ndryshimin e misionit të FSK-së të domosdoshëm, por thotë se “nuk është e domosdoshme që kjo të ndodh brenda disa ditësh.”

“Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC, pas një varg aktivitetesh konsultuese, debatesh publike dhe diskutimeve me faktorë institucionalë dhe ekspertë të fushës, përmes një Memo të publikuar më 15 mars, ka bërë thirrje tek të gjithë faktorët që të angazhohen intensivisht për të ndërtuar koordinimin e domosdoshëm me partnerët strategjik”, ka deklaruar Ramadani.

Mëtutje, Ramadani ka thënë se kohëzgjatja e këtij procesi duhet të jetë optimale, ndërsa, transformimi i FSK-së në Ushtri të bëhet gjatë vitit 2017

“Ne, si SPRC, kemi ardh në konkludim që kohëzgjatja e këtij procesi duhet të jetë optimale, duke synuar që transformimi i FSK-së në Ushtri të bëhet gjatë vitit 2017. Për këtë, ne si SPRC, kemi rekomanduar hartimin e një Plani të Veprimit të të gjitha institucioneve, të ketë qasje maksimalisht gjithëpërfshirëse, të ketë bashkërëndim midis aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, potencoi ai.

Opinionin publik nuk duhet të bie pre e “keqinterpretimeve” për transformimin e FSK, tha ndër tjera Ramadani .

“Thjesht, Ushtria nuk bëhet pa partnerët strategjik. Opinioni publik të mos bjerë pre e keqinterpretimeve, ndoshta edhe të qëllimshme, për rrugën përpara për transformimin e FSK-së në Ushtri”, u shpreh ai.

Në fund, Ramadani deklaroi,  se “Nëse FSK do të transformohet në Ushtri, kjo bëhet vetëm në partneritet me miqtë strategjik të Kosovës.”