Çështja gyleniste/ Shqiptarët duhet të kuptojnë se ka çështje diskrete që nuk mund të bëhen pjesë e debatit publik

03.04.2018 18:22:01

Nga Rexhep Kastrati

Ka disa çështje që kanë edhe diskrecion që nuk është për opinion dhe për faktorë të ndryshëm. Çështja gyleniste është një nga to, sepse ka shumë gjëra që nuk janë në opinion, për shkak të natyrës së tyre dhe të sigurisë.

Rekrutët shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare zakonisht bazohen në karakterin diskret të çështjeve të tilla dhe ndërtojnë fushatat e tyre kundërshtetërore dhe kundërkombëtare. Dhe kur bëjnë këtë bazohen në faktin se në mungesë të kulturës elementare të funksionimit të shtetit dhe të zhvillimit të çështjeve të ndryshme diskrete, shqiptarët bien viktimë dhe përfshihen në debate të dëmshme, duke cenuar shumë diskrecionin dhe vetë interesat e vendit.

Është e kotë që u thua këtyre se Turqia është aleat i SHBA-ve dhe aleat i yni strategjik në rajon, që në mënyrë të tërthortë t’u bëhet e qartë se kjo çështje nuk mund të ketë ndodhur edhe pa miratimin e heshtur të amerikanëve, të cilët nuk kanë reaguar ndaj deportimit të tyre. Shqiptarëve po duhet t’u thuhen edhe sekretet dhe diskrecionet më të pathëna publikisht, se përndryshe bëjnë gjamën, duke bërë kështu, dashur apo padashur punën e rekrutëve shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare.

Dhe rekrutët shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare, nëpërmjet fushatave kundërkombëtare, manipulojnë opinionin për të dëmtuar interesa strategjike shtetërore, qoftë duke nxitur tensionim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, qoftë edhe duke afimruar ideologji, shoqata, shkolla dhe plstforma të rrezikshme jo vetëm për shqiptarët. Lëvizja gyleniste është një lëvizje e rrezikshme dhe e dëmshme për shqiptarët që me paratë e mbeldhura në forma edhe të paligjshme, financon projekte në funksion të qëllimeve të saj të dëmshme, përfshirë edhe cenimin e ndërgjegjes kombëtare te individë dhe shtresa shoqërore.

Është momenti i fundit për të kuptuar se jo të gjitha çështjet janë çështje që mund të bëhen pjesë e një debati publik, përkatësisht e devalvimit të tyre në nivel të “ekspertëve” në facebook që e konsiderojnë veten kompetenet për të gjitha çështjet, e pse jom, edhe për luftën e yjeve.