Çka do të thotë për Kosovën fitorja e Marine Le Pen në Francë?

27.05.2019 10:10:19

Nga Rexhep Kastrati

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ka ndodhur një nga ngjarjet që para disa kohësh nuk mund të merrej me mend: në Francë fiton partia e ekstremit të djathtë, e Marine Le Pen, duke ndërlikuar skenën politike franceze dhe duke e shënuar një kthesë të madhe kah qasjet e ekstremit nacionalist, e për të cilat ka nevojë për një analizë tjetër më thelbësore.

Në fakt, fitorja e Marine Le Pen nuk do të duhej të befasonte askë, pasi që në zgjedhjet presidenciale në Francë, ishte në prag të fitores për presidente të këtij shteti të rëndësishëm jo veç në BE, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkatësisht në gjeopolitikën bortërore.

Rritja elektroale e Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale në Francë u bë mbi bazën e retorikës dhekoncepteve skajshmërisht ultranacionaliste, por edhe me elemente të politikës dhe koncpeteve e metodave të vjetra të përcaktimeve jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe më atë të jashtme!

Ajo që për Kosovën duhet të jetë tepër shqetësues është fakti se Marinë Le Pen ka shpërfaqur një qasje të hapur kundër pavarësisë së Kosovës, me mundësi që të rishikojë njohjen nga shteti francez, e që do të ishte një goditje tepër e rëndë jo vetëm në marrëdhëniet e Kosovës me këtë shtet dhe me BE-në, por edhe në një proces retrograd të tërheqjes së njohjeve nga shtetet tjera, pasi që Franca ka ndikim të madh në grupin e shteteve frankofone.

Edhe momenti kur vie fitorja e partisë së drejtuar nga Marine Le Pen është një moment shumë i ndjeshëm, sepse jemi ndërmjet dy samiteve: samitit të Berlinit që u mbajt më 29 prill, dhe samitit të Parisit që pritet të mbahet më 1 korrik, dhe i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe për procesin negociator me Serbinë!

Ndonëse, qeveria franceze, edhe nën presidencën e Macron, ka shfaqur në vazhdimësi në qasje të veçuar dhe në raste herë më të kamufluar, dhe herë më të hapur më afër Serbisë, megjithatë është baraspeshuar nga qasja gjermane që ka qenë çdo herë më afër një qasje realiste dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të së drejtës, duke kundërshtuar tendencat e dëmshme për Kosovën, tash me fitoren e partisë së Marine Le Pen, mund të ketë një trysni më të madhe ndaj qeverisë aktuale franceze!

Duhet të kujtojmë se Serbia, strategjinë e saj në raport me Kosovën e ka mbështetur fort te samiti e Parisit, qoftë për të neutralizuar rezultatet e samitit të Berlinit, qoftë edhe për ta kthyer sitatën në favor të saj.

Këtë, më në fund e ka pranuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq para pak ditësh, por për çka kam tërhequr vëmendjen në vazhdimësi gjatë tërë kësaj kohe!

Në anën tjetër, duhet të shihet edhe ndikimi që do të ketë partia e Marine Le Pen në kuadër të institucioneve të BE-së, ku Franca edhe ashtu ka pasur dhe ka një rol të madh dhe të rëndësishëm.

Dhe ky ndikim duhet të shihet qoftë edhe në aspektin e ndërtimit të këtyre institucioneve, pra edhe ato që kanë të bëjnë me pasuesin apo pasuesen e Mogherinit, qoftë edhe në trupa të tjerë, siç janë ato që kanë të bëjnë me proceset e integrimit në BE, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, e që bëhet nëpërmjet reporterëve të ndryshëm, siç ishte Lunaçek, Flenkenshtajn për shtetin shqiptar etj.

Mesazhi që duhet të marrë Kosova është se në Francë është rritur fryma ksenofobe, e edhe qasja tradicionale kundërshqiptare dhe proserbe!