Daçiq: Beogradi të vazhdojë dialogun me Prishtinën, por…

01.12.2016 17:08:05

Marrëveshja për gjyqësorin që është arritur në Bruksel në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishëm për vlerësimin e përgjithshëm të progresit dhe me siguri do të kontribuojë në hapjen e kapitujve me Serbinë, tha Daçiq, por shtoi se çështja thelbësore mbetet formimi i komunave serbe.

Daçiq ka thënë se Beogradi është për vazhdimin e dialogut me Prishtinën i cili sipas tij është neutral ndaj statusit, por që nënkupton se Prishtina secilën bisedë mos ta fillojë me fjalët “gjenocid”, “spastrim etnik” të kryera nga Serbia, shkruan Tanjug, transmeton lajmi.net.

Kosova po tregon nervozizëm për shkak të mos suksesit në skenën ndërkombëtare, tha Daçiq dhe vuri në dukje një deklaratë të raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila kishte thënë se i vinte keq që pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën.

Kjo sipas Daçiqit, tregon se nuk ka presion vetëm Serbia, por edhe shtetet anëtarë të BE-së ta njohin Kosovën.

Ai ka folur edhe për largimin e tij nga takimi në Varshavë, ku Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Serbët janë fajtor për të gjitha luftërat në ish Jugosllavi dhe për gjenocid, ndërsa Daçiq thotë se është larguar nga takimi i Grupit të Vishegradit për shkak se nikoqirët tjerë nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Hoxhajt.