Daçiq vazhdon strategjinë kundërshqiptare për të afirmuar tribalizmin politik fatal për shqiptarët

01.05.2017 11:08:32

Nga Rexhep Kastrati

Serbia vazhdon me deklarata provokative ndaj shqiptarëve, gjithnjë me synimin për të afirmuar tribalizimin politik si kundërvënie ndaj institucionalizimit politik dhe shtetëror. Dhe në gjithë këto deklarata provokative, Serbia instrumentalizon veçori arkaike dhe të tejkaluara të shqiptarëve, siç janë: gjaknxehtësia, individualizimi politik, feudalizmi dhe provincializmi politik, që janë shfrytëzuar vazhdimisht nga qarqe kundërshqiptare gjatë shekujve më parë, por edhe gjatë dekadave të shkuara të shekullit XX. Provokime të tilla që rritin reagimin emocional, që prekin sedrën individuale dhe kolektive, si fyerjet e jabllanoviqit, apo tash e Daçiqit, sipas të cili shqiptarët nuk janë trima, nuk janë të guximshëm, bëhen për të nxitur shqiptarët për të treguar se janë të guximshëm dhe mund të bëjnë edhe veprime të pastudiuara mirë dhe që afirmojnë injorantë politikë në skenën politike shqiptare që shpërfaqin mendësi të shekullit XIX, e që është mendësi e bajrakatarëve lokalë që mëtojnë të vënë rajone apo zona të caktuara nën kontroll, si forma perfide të tribalizimit politik. Kjo mendësi feudale e bajraktarëve të pacenueshëm, është shpërfaqur me ndarjen e zonave të kontrollit si për shmebull: PDK në Drenicë, AAK në Dukagjin etj., për ta bërë ndarjen e Kosovës në bazë të interesave të bajraktarëve të pacenueshëm.

Efektet e kësaj mendësie feudale kanë qenë të mëdha në politikën shqiptare të Kosovës, por edhe në shtetin shqiptar, pasi që është betonuar edhe në angazhimet konkrete politike, edhe në kundërvënie ndaj proceseve dhe akteve të rëndësishme në vend. Kështu, politikës dhe mendësisë moderne unifikuese dhe shtetërore të presidentit Rugova që bazohej në vazhdimësinë dardano-ilire të Dradanisë antike, e që kishte parasysh njësitë territoriale, që e ka shpërfaqë më së miri edhe marshi “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e që është një hymn për luftën për liri që rajonet e Kosovës kanë bërë gjatë viteve dhe dekadave, iu kundërvua ndarja e Kosovës në zona interesi të komandantëve të pacenueshëm. Në anën tjetër, edhe në fjalorin politik u futën terma dhe koncepte të tilla si: Ramush, Dukagjini është me ty!”, ose “Hashim, Drenica është me ty!”, por edhe në forma të tjera të ngjashme.

Kjo mendësi feudale, provonciale dhe subballkanike, është duke u reflektuar gjatë viteve të fundit, që përputhen me vitet e qeverisjes aktuale, në funksion të rritjes së mbështetjes për angazhime kundërshtetërore, të dhunshme dhe destabilizuese. Në krye të kësaj mendësie vazhdon të jetë Ramush Haradinaj, i cili si injorant politik që është dhe si i ardhur nga zona që ndërlidhet me emrin e Kanunit të Lekës, ka theksuar më shumë se të tjerët pikërisht tribalzimin politik. Në fakt, nga Ramush Haradinaj është krijuar një karikaturë politike, një babaxhan butaforik që i është mbushur mendja se vetëm ai mund ta shpëtojë Kosovën nga institucionet e saj, dhe si për së kithi, edhe nga Serbia, dhe me këmbëngulje, me çdo çmim po kërkon që të mos jetë vetëm një aventurier lokal, një sundimtar lokal, por të vijë në krye të Qeverisë së Kosovës, duke synuar kështu ta bëjë feudalizimin e plotë të saj.

Dhe kur Daçiq thot se shqiptarët nuk guxojnë vetë të flasin për “Shqipërinë e Madhe”, ka parasysh mendësi të tilla fuedale, provonciale dhe tribale si ajo e Pal Lekajt se vetëm Ramush Haradinaj mund t’ia ndalë turrin Serbisë, ose ajo e Daut Haradinajt se po u ekstradua Ramushi në Serbi, do të nisim luftë, madje edhe të shpallen ushtri të Dautit, dhe së fundi edhe nga vetë Ramush Haradinaj që tha se Serbisë do t’ia bëjmë më zi se sa më 1998, e që të gjitha janë marrëzira që ushkojnë për shtat vetëm Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre. Është kështu për faktin se vetëm Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre janë të interesuara që në Kosovë të shfaqen uhstri partiake, klanore, grupore dhe të shquhet roli i individitit fisnor, parapolitik, jashtinstitucional, si mishërim i tribalizimit politik; vetëm Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre janë të interesuara që të ketë angazhime jashtinstitucionale dhe kundërinstitucionale, sepse në këtë mënyrë rrënohen themelet e shtetit, rrënohet shteti. E Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre pikërisht këtë synojnë: rrënimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, rrënimin e vetë shtetit të Kosovës në emër të një patrotizmi idiotësh, tribalësh dhe të faqes së zezë, dhe të hapet kapitulli i ndarjes së Kosovës, i ndarjeve të tjera të shqiptarëve, por edhe i futjes së konliktit të shqiptarëve me aleatët strategjikë.

Dhe gjithsesi provokimi me çështjen e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, në emër të guximit apo të mosguximit, është një mënyrë shumë dinake që gjatë shekullit XIX dhe në pjesën e parë të shekullit XX u ka sjellë përfitime të mëdha qarqeve kundërshqiptare, sepse me provokime të tilla, me nxitje të tilla dhe me të rrahura të shpinës, këto qarqe kanë nxitur shqiptarët në luftë kundër njëri-tjetrit, kanë nxitur shqiptarët në lufta të ndryshme nga të cilat kanë dalë më të përgjakur, më të copëtuar dhe më të tkurrur.

Në kushtet kur skenarë serbo-rusë për destabilizimin e rajonit nëpërmjet të shqiptarëve janë bërë qartësisht të dukshëm dhe që po përmenden edhe nga qarqe ndërkombëtare, provokime të tilla, gjithsesi janë shumë të rrezikshme për shqiptarët, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, prandaj duhet një syçeltësi më e madhe, por edhe një ndërgjegjësim më i madh i forcave politike shqiptare se me veprimet e tyre kundërshtetërore po i kalojnë ambicet për pushtet, dhe po rrezikojnë në thelb interesat kombëtare të shqiptarëve.