Daka: Është urgjente që vitin e ardhshëm të ketë reformë zgjedhore (Video)

27.11.2017 21:47:10

Sonte në emisionin “Përballje është diskutuar për organizimin e zgjedhjeve të këtij viti.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pa u bërë reforma zgjedhore.

Ajo në emisionin “Përballje”, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se shpreson që pas certifikimit të rezultateve dhe përfundimit të gjitha procedurave administrative, shpreson që institucionet relevante do ta kenë parasysh urgjencën për reformë zgjedhore.

“Këto dy palë zgjedhje kanë treguar nevojën për reformë, veçanërisht ankesat të cilat e kanë bërë stërzgjatjen e procesit, për të vazhduar me listat e kandidatëve, të cilat janë parë si pengesë, janë tregues i mjaftueshëm që patjetër duhet ta bëjmë reformën zgjedhore. Pa vullnet politik nuk do të kemi reformë. Unë si bartëse e KQZ, institucion i cili ka ekspertizë në organizim të zgjedhjeve, e shoh si urgjente, që vitin e ardhshëm të ketë reformë zgjedhore”, ka shtuar Daka.

Sipas saj, ka rekomandime edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë e vendorë, të cilët kanë sugjeruar se duhet të ketë reformë zgjedhore.

“Besoj se është e dukshme se na nevojitet reforma zgjedhore”, ka shtuar Daka.