De Gea shpëton Man.United, Under nuk i mjafton Romës

21.02.2018 23:25:26

Shumë raste, shumë volum loje por në fund sfida e Ramon Sanchez Pizjuan mes Sevillas dhe Manchester United prodhoi vetëm një barazim pa gola që la gjithçka të hapur përsa i përket kualifikimit për takimin që do të zhvillohet pas 3 javësh në Old Traford.

Fitore me përmbysje në sfidën e tjetër të raundit të 1/8-ave  me Shakthar Donetsk që në Ukrainë kaloi 2-1 Romën.

Në Andaluzi Sevilla dominoi me lojë ndaj Djajëve të Kuq për pjesën më të madhe të kohës, por në pjesën e parë David De Gea me ndërhyrjet e tij ishte thjeshtë fantastik. Në fraksionin e dytë Lukakut iu anullua një gol për pozicion jashtë loje ndërkohë që vendasit nuk kishin saktësinë e duhur në finalizim me Montellën e Mourinhon që në fund duhet të kënaqeshin me një barazim pa gola.

Në takimin tjetër të zhvilluar në Lviv, goli i talentit turk Under nuk i mjaftoi Romës pasi në pjesën e dytë Shakthari përmbysi rezultatin duke marrë një fitore me peshë falë golave të sulmuesit argjentinas Facundo Ferreyra dhe mesfushorit brazilian Fred.