Dëbimi i hebrenjve nga Spanja në emër të gjakut të pastër kristian

07.05.2019 12:15:45

Përgaditi Sylejman Morina

Spanja u qelb edhe një herë më shumë këtë vit makabër 1492, ku, pasi dëboi Myslimanët dhe Maurët, kërkoi ta mbyllë me Hebrenjtë, me mendimin se ishte prekur nga Fryma e Shenjtë, pas “shpërblimit” të Perëndisë me floririn e Amerikave. Me statusin mbi pastërtinë e gjakut vërtet Spanja do nënshkruante rënien e saj.
“Të gjithë ata që kishin mërguar nga Jeruzalemi në Spanjë e lanë këtë vend të “mallkuar” në muajin e pestë të vitit 5252, që do të thotë në vitin 1492, dhe nga aty u shpërndanë në të katër anët e dheut…..” Kush më mirë se Jozef Ha-Kohen në Lugina e Lotëve (1560), do përshkruante tragjedinë e dëbimit të hebrenjve nga Spanja? Me tej ai vazhdon “…Judenjtë do shkonin ku ti hidhte era, në Afrikë, Azi, Greqi dhe Turqi, të gjitha vende të integruara në Perandorinë Osmane.
Vuajtje të mëdha dhe dhimbje pa pushim do u shkaktonin atyre marinarët xhenovezë duke i keqtrajtuar Krijesat më fatkeqe vdisnin nga dëshpërimi në rrugën e tyre: piratët musliman u hapnin barkun me shpata e thika për t’u nxjerrë arin që kishin gëlltitur para udhëtimit për ta fshehur. Kishte shumë prej tyre që vdisnin nga murtaja dhe uria. Shumë të tjerë zbriteshin lakuriq nga kapitenët e anijeve në ishuj të shkretuar. Të tjerë shiteshin si skllevër në portin e Xhenovës dhe qytetet e nënshtruara prej saj”.
1492, viti i fatkeqësisë për Hebrenjtë, por për Spanjën e Mbretërve katolikë ishte viti i triumfit të Kryqit dhe një bekim i trefishtë: Rënja e Grenadas më 2 janar, e cila plotësone Reconquista mbi maurët; dëbimi i së paku 120.000 hebrenjve pas dekretit të 31 marsit; dhe zbulimi i Amerikës nga Kolombi.
Spanja ishte verbuar, Spanja ishte dehur. Ajo kishte rikthyer unitetin e saj dhe hequr qafe “gangrenën” e vet judaike. Meqënëse purifikoi tokën e saj, Perëndia e shpërbleu atë me floririn e Botës së Re. Plani i Perëndisë dhe historia e njerëzimit përkojnë me njëri tjetrin, e askujt nuk i interesonte se çfarë rëndësie kishin çmimi i metaleve të çmuara të Amerikës përfituar nga gjaku i fshatarëve indian që shfrytëzoheshin në miniera!
Dhe kjo për purifikimin e Spanjës duke dëbuar hebrenjtë, pak kohë para Moriskove (muslimanët e konvertuar) më 1609, hebrenjtë të cilët në sajë të parave të siguruara nga Rabinët Abraham Lartë dhe Isak Abravanel, kishin bërë akoma më shumë për Reconquista (pushtimin e Amerikave)
Arka mbretërore humbet shumë, por edhe sakrifica intelektuale është gjithashtu e konsiderueshme. Sepse nëse ka hebrenj të varfër, më shumë janë të zgjuar, aktiv dhe mendjehollë. Ata janë mjekë, agjentë, mbledhës taksash, tregtarë, administratorë të fisnikërisë, argjendarë, tregtarë mëndafshi”, thotë Andres Bernaldez, kronikani i Isabelës së Kastijës dhe Ferdinandit të Aragonit, Monarkët katolikë
“Nëse humbja njerëzore dhe financiare është e madhe, Spanja fiton në pasurinë hyjnore. Spanjollët janë populli i ri i zgjedhur që tejkalon popullin hebre tashmë të dështuar. Duke purifikuar mbretërinë nga kjo farë e mallkuar, Mbretërit Katolikë po përgatisin ardhjen e dytë të Krishtit të shpallur në Apokalips. Francisco Enriquez do të shkruante në 1648, se “një mbretëri pa një fe të vetme dhe puritane është një grumbullim banditësh e njerëzish të padrejtë”.
Gjithçka kishte filluar në vitin 1391, një shekull para dekretit të dëbimit final, nga një banjo gjaku që kishte lagur Kastilien, Aragonin, Katalonjën, Majorkën. Lagjet hebreje, aljamas, u goditen pas një epidemie vdekjeprurëse.
A thua se Spanja kishte kërkuar t’i tregonte një herë e mirë hebrenjve të saj, edhe pse kishin lëshuar prej kohësh rrënjë, se prania e tyre ishte bërë e padëshirueshme, ata duheshin dënuar për shlyerjen e epidemive, zisë së bukës, luftërat që kishin shkretuar Evropën. Më shumë se 4,000 njerëz do vriteshon vetëm në Sevilje, ku shërbente një murg fanatik, Martinez de Ecija. Komuniteti i begatë i Barcelonës do fshihej nga faqja e dheut. Sulmuesit “plaçkitnin, shkatërronin e masakronin me epsh e kënaqësi”. Çdo qytet ishte, këto ditë, një Trojë e re”, shkruante një bashkëkohës.
Të gjallë mbeteshin vetëm çifutët që gjynjëzoheshin duke u lutur për pagëzim, nga ku do lindin edhe fjalët e reja: marrano dhe judeoconverso.
Sa më shumë përparon Reconquista mbi Maurët, aq më shumë shtohet urrejtja kundër hebrenjve. Sa më shumë kryqi triumfon, aq më shumë zhduken armiqtë e Perëndisë dhe të Spanjës.
Një Urdhëresë Mbretërore e vitit 1412 tashmë i detyron hebrenjtë, të cilët gjithmonë kishin jetuar mes popullit kastilian, të qëndronin në lagje “geto” të izoluara. Atyre u ndalohet të ushtrojnë çdo lloj pune zyrtare e publike, shitja e mishit ose ndonjë artikulli tjetër ushqimor me përbërës prej mishi, duhej prerë mjekra dhe flokët e tyre. Gjithashtu ata janë të detyruar të veshin mantele të gjata e të zeza deri në fund të këmbëve për t’u dalluar. Këto dispozita të pahijshme vetëm sa shtojnë dyshimin e të konvertuarve të sinqertë dhe të pagëzuarve “kriptojudenj” të cilët vazhdonin të praktikonin ritet e tyre në mënyrë klandestine.
Që nga fillimi i mbretërimit të tyre, në vitin 1474, Mbretërit katolikë synojnë të shfarosin të keqen. Çifutët e Kastiljes u mbyllën në getot e tyre, ndërsa ato të Saragozës, Albarracinit, Terueluit dëbuan nga Peshkopët e Seviljes dhe Kordovës. Më pas ne lojë do të hynte inkuizicioni. Për spanjollët ndarja rajonale dhe masat e dëbimeve nuk kanë efekt. Prandaj u propozohet Sovranëve që ilaçi i vetëm ishte syrgjynimi i përgjithshëm. Hebrenjtë kastilian përpiqen shumë për të vonuar afatin, duke propozuar të paguajnë çmime të larta, por Torquemada, Inkuizitori i përgjithshëm, vendos para Gjykatës së mbledhur më 20 mars, një Kryq të madh dhe u përkujton gjykatësve tradhtinë e Judës. Kështu Dekreti Mbretëror i 31 marsit 1492 do të nënshkruhej, duke i dhënë afatin prej 30 ditësh të gjithë hebrenjve të Spanjës për të lëshuar vendin e paraardhësve të tyre. Tridhjetë ditë për të shitur pasuritë e tyre dhe lëshuar vendin duke e boshatisur.
Por për çfarë akuzohen ato? Asgjë më pak se ndotja e shoqërisë spanjolle. “Hebrenjtë mudohen të largojnë besimtarët e krishterë nga feja jonë e shenjtë, duke i kthyer në mosbesim, larguar nga devotshmëria, dhe duke i tërhequr drejt besimeve dhe opinioneve të tyre të mallkuara, shkruhet në dekretin e dëbimit masiv. Ata i udhëzojnë drejt ceremonive dhe riteve të ligjeve të tyre, vëzhgojnë mbi rrethprerjen (të bërit synet) e tyre dhe bijve të vet, i informojnë për kohët e agjërimeve, u shënojnë ardhjen e Pashkëve, u japin duke u sjedhë nga shtëpitë e tyre bukën e ndorme dhe mishin nga bagëtitë e theruara ritualisht, paralajmërojnë për ushqimet që nuk duhet të hanë, si dhe ndalesa të tjera religjoze, i bindin sa të kenë mundësi të ndjekin dhe praktikojnë ligjet e Moisiut, u japin të kuptojnë që s’ka ligj tjetër as të vërtetë përveç këtyre”.
Ky është katalogu i praktikave hebreje “të rrëfyera” nën torturat e shkaktuara nga gjykatat e inkuizicionit, që ushtronin veprimtarinë në mënyrë të pavarur në Spanjë, pas një dekreti të Papës Sixtus IV në 1478. Domenikani Tomas de Torquemada u emërua nga Mbreti Ferdinand si inquisitor i Aragonit, Valencias dhe Katalonjës. Do të duheshin dhjetë vjet për të formuar një inkuizicion zyrtar shtetëror. Të akuzuarit dhe të dënuarit numëroheshin me qindra, pothuajse të gjithë judeo-conversos, fytyra e re e herezisë.
Fiksimi i ndotjes së Frymës së Shenjtë, e shkatërruar me zjarr, mërgim e shkatërrim të familjeve të tëra, madje ndër më të integruarat. Argumenti inkuizitorial është i pandalshëm: prania e hebrenjve në tokën spanjolle dëshmon për madhështinë e shpirtrave të Sovranëve. Por ata përfitojnë nga ky privilegj për të minuar integritetin e shoqërisë së krishterë, dhe ky është një krim i mosmirënjohjes që meriton dënimin më të rëndë. Vetëm një operacion kirurgjik, ndërprerje e çdo lidhje mes hebrenjve dhe “krishterëve të rinj” të konvertuar të sinqertë, është e aftë për të ndaluar përhapjen e këtij tumori malinj, herezia judaiste.
Duke u munduar të çrrënjosin “tumorin” me anë të dëbimit të vitit 1492 dhe të “auto da fe”, këto ceremoni spektakolare të destinuara për të shfaqur publikisht rrëfimet dhe bindjet e heretikëve, do të degradonin në përmasa të paimagjinueshme. Pas vitit 1492, Spanja zyrtarisht nuk do të kishte më asnjë hebre të vetëm. Mes të dënuarve me mërgim, vetëm 80,000 nuk ishin në gjendje të largoheshin për shkak të sëmundjes, të varfërisë ekstreme, ose frikës nga rreziku i lartë eksodit, u detyruan të pagëzohen. Por një valë anti-semitizmi pa hebrenj do të mbulonte Spanjën, e paaftë për të larguar fantazmat e saj.
Paradoks i pabesueshëm: sa më shumë Spanja izolon, dëbon, dërgon në turrën e druve hebrenjtë e saj, aq më shumë ajo është brejtur nga makthi i të njohurit të hebrenjve të vërtetë e të atyre të konvertuarit realë apo të rremë. Pas çdo fytyre, në kishë apo në rrugë, dyshimet zgjaten: a është ky që e quan veten të krishter, një i krishter vërtet? A mos ndoshta është ai një “criptohebre”, i cili fshehurazi bën shabat të shtunën, përgatit ushqimin e tij në përputhje me rregullat e kashrutit, feston festat hebraike, kryen tualetin funeral sipas ritualit hebre? Një traumatizëm që do jetë gangrenë për tre shekuj në shoqërinë spanjolle.
Spanja u frymëzua nga vendet e tjera europiane.
Si ta shpjegojmë? Në të gjithë Evropën, hebrenjtë shihen si llumi i shoqërisë. Ata grabiten, margjinalizohen, dëbohen. Spanja është madje vendi i fundit që i ka dëbuar hebrenjtë. Franca e kishte bërë atë që në vitin 1306, Anglia edhe më herët. Por Spanja karakterizohet nga një anti-semitizëm i lartë racist, që premtonte një të ardhme të madhe, për shkak të pranisë së fuqishme të conversos së vet, të konvertuar me dhunë, para ose pas masakrave të vitit 1391 dhe dëbimin masiv të vitit 1492. Falë pagëzimit, këta hebrenj të konvertuar ishin në gjendje të punësoheshin në gjykatë, në postet e nderit, në detyrat kishtare, të cilat më parë ishin të ndaluara për ta. Duke hyrë në universitete dhe urdhra fetare të krishtere, pasi si hebrenj ata nuk kishin të drejtën e qytetarisë, ata depërtuan në gjitha shtresat e shoqërisë – mjekësi, ushtri, drejtësi, kler, madje në sajë të martesave të spiaktura arritën të futen në fisnikërinë e Aragonit dhe Kastiljes.
Spanja katolike për një kohë të gjatë ishte e lumtur me këto konvertime, para se të kuptonte se kishte hapur kutinë e Pandorës. Deshëm t’i konvertonim, tani gjenden kudo! Dhe ata investojnë me zgjuarsi në sektorët më dinamikë e të rëndësishëm të shoqërisë. Atëherë helmi i dyshimit bën punën e vet: janë krishterë të rremë, krishterë të maskuar. Ata kërcënojnë besimin katolik të Spanjës, kohezionin e saj social dhe fetar të sapo restauruar me mundime e gjakderdhje të pafajshmish. Çdo nënshtetas i Mbretërisë ishte zyrtarisht katolik, pra si mund të dallohen ata? Do shpiket një kriter i pandalshëm: ai i gjakut.
Që në fillim të shek. XV, një kolegj i Universitetit të Salamankës kishte futur një rregull që t’u ndalonte atyre që nuk vinin nga gjaku i pastër (ex puro sanguine) për të hyrë në radhët e veta. Në vitin 1440, pas trazirave anti-conversos, Toledo ishte qyteti i parë që miratoi statusin e “limpieza de sangre” (pastërtia e gjakut), që përpjekjet e palodhura të Inkuizicionit dhe e Kardinalit të ardhshëm Juan Marinez Siliceo, antisemiti më i madh spanjoll i shek. XVI, të arrijnë të bindin Mbretin Filip II, në vitin 1543, që ta shtrijë në gjithë Spanjën
Papati ngurron, sepse statusi i pastërtisë së gjakut është një monstrositet teologjik: a nuk është uji i pagëzimit purifikues? Por Inkuizicioni, kleri i nivelit të ulët, populli i thjeshtë do t’ia imponojnë atë. Ideja që çdo hebre, madje edhe i konvertuar, ka gjak të papastër në venat e tij, sepse ata kontribuan në Kryqëzimin e Jezu Krishtit, është shumë popullore. Pra, është stereotipi i hebreut që ka infiltruar familjet më të mira dhe fisnikërinë, e madje deri në drejtësi. Ndër të konvertuarit, Spanja llogarit mistikë të mëdhenj si Thérèse d’Avila ose Louis de Granade. Dhe Inkuizitorë të famshëm, si vetë Torquemada, “gjyshërit e të cilëve ishin hebrenj të konvertuar” (sipas historianit Fernando del Pulgar). Por njerëzit e thjeshtë, për ngjitjen e tyre sociale, duhet të pretendojnë të kenë gjak të pastër. Nëse nuk mund të ëndërronte ndonjë nderim fisnikërie (honra), të paktën të kishte nderin, (honra) të mos ketë gjak hebreu. “Statusi i pastërtisë është hapi i nderit të popullit”, përfundon Henry Méchoulan.
Atëherë Spanja hyn në një epokë racizmi shoqëror dhe fetar, njëri që nxit tjetrin. Për të hyrë në universitet ose në urdhërat fetare, kërkohet një certifikatë e lëshuar pas hetimeve gjenealogjike të gërmuara që datojnë sa më larg, brez pas brezi në linjë, duke bërë të vlefshëm apo jo një dyshim infektimi, ndërkohë që ligjet naziste të Nurembergut kufizoheshin në gjeneratën e katërt.
Dera hapet po ashtu për të gjitha fushatat e denoncimit. Një thashetheme e thjeshtë ishte e mjaftueshme për të “ndotur” një familje dhe për ta dërguar në burgjet e Inkuizicionit. “Katolikët e Vjetër” nuk guxojnë të pretendojnë një dëshmi nga frika për të mos zbuluar ndonjë origjinë hebraike. Statusi i limpiezës së gjakut paralizon çdo ngritje shoqërore apo karriere. Është më mirë të mos lëvizësh sesa të akuzohesh. Nëse ke sukses, ke gjak hebraik! Kjo ngrirje e marrëdhënieve shoqërore do të bllokonte kujtesën e Spanjës.
Pastërtia e gjakut bëhet subjekt terrori për të konvertuarit, i cili jeton sinqerisht katolicizmin e tij, si dhe për katolikun e rremë, i cili mbetet besnik ndaj ligjeve të Moisiut. Ata i nënshtrohen të njëjtit regjim dyshimi, ndaj të njëjtit kërcënim të Inkuizicionit. Çdo i konvertuar është një hebre, pra një armik i mundshëm i besimit katolik. Ky është fillimi i një neuroze, kontaminimi hebre dhe heretik bëhet përmes gjakut, qumështit të Nënës dhe spermës. Mamitë e Oborrit i nënshtrohen testeve të gjakut, sepse fëmija thith në gjoksin e mamisë qumështin e tij! Supozimi kthehet në obsesion biologjik. Traktate të tëra janë shkruar për të provuar se hebrenjtë ende vuajnë nga hemorroidet që nga Kryqëzimi i Krishtit, ata lëshojnë një aromë si murtajë, që për ta hequr qafe, ata duhet pinë gjakun e pastër të fëmijëve krishterë të vrarë, në ditën e Pashkëve, gjatë ritualeve mortuale.
Me statusin e “pastërtisë së gjakut”, bota zbuloi racizmin fetar, të cilin do e rigjejmë më vonë në Protokollin e Pleqve të Sionit dhe antisemitizmin racor të nazistëve. Ky obsesion do t’i përshkojë të gjitha mentalitetet në Spanjë deri në mesin e shek. XVII. Në fillim të vijimit, do të gjejmë akoma akte ligjore që u referohen judenjve, ndërkohë që nuk ka më asnjë të tillë. Hebrenjtë spanjollë që mërguan gjenden në Amsterdam dhe Stamboll, ku bëjnë pjesë në elitën e mjekëve, mendimtarëve, poetëve dhe tregtarëve. Por arsyetojmë gjatë mbi dhimbjen e Joseph Ha-Cohen përshkruar në veprën Lugina e Lotëve “O Perëndia im, ne nuk të kemi harruar apo tradhëtuar Besëlidhjen tënde. Por tani, nxito për të na ndihmuar, sepse për Ju, po na vrasin çdo ditë dhe na konsiderojnë si dele për therje. Nxito të na ndihmosh, o Perëndia e shpëtimit tonë, mbështet kauzën tonë dhe na shpëto për hir të emrit Tënd! ”