Demokratët kërkojnë hetim për biznesin e Trumpit në Azerbajxhan

30.03.2017 22:22:12

Një grup senatorësh të njohur demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Departamenti i thesarit dhe Zyra e prokurorit të përgjithshëm, të zhvillojnë hetime për dyshimet lidhur me biznesin e presidentit, Donald Trump, në Azerbajxhan, duke thënë se ndoshta i ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit.

Dianne Feinstein, Ben Cardin dhe Sherrod Brown, këtë kërkesë e kanë bërë sot, duke thënë se shqetësimet e tyre ishin ngritur pas një artikulli në revistën, The New Yorker, me titullin, Marrëveshja më e Keqe e Donald Trumpit, ku përshkruhen lidhjet biznesore të Organizatës Trump me Ministrin e transportit të Azerbajxhanit dhe oligarkun, Ziya Mammadov.

Mammadov është i dyshuar se ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të mbështetjes së terrorizmit.

Senatorët kanë theksuar se megjithëse firma e zotit Trump ishte tërhequr nga marrëveshja e propozuar për ndërtimin e një rrokaqielli në kryeqytetin Baku në Azerbajxhan, megjithatë “mbeten pa përgjigje pyetjet serioze për potencialin e Organizatës Trump për përgjegjësi penale”.

Presidenti Trump ka refuzuar ta tërheqë vetveten nga interesat biznesore të tij ose që ato të administrohen nga një trupë e pavarur dhe, për dallim nga presidentët dhe kandidatët presidencialë prej viteve ‘70, ka refuzuar t’i zbulojë taksat e tij.