Bayern është i frikshëm, Derbi i Ruhrit mbyllet pa fitues

01.04.2017 17:12:02

Kryendeshja e javës së 26-të e Bundesligës, e luajtur sot në “Veltins Arena” mes Schalke dhe Borussia Dortmund, është mbyllur në barazim 1-1. Një rezultat ky që i ka kushtuar vendin e tretë në renditje ekipit të Thomas Tuchel, që ka zbritur një pozicion më poshtë në kuotën e 47 pikëve. Në rast se kampionati do të përfundonte sot, verdhezinjtë do të merrnin pjesë në fazën paraeliminatore të Champions League. Sfida është zhbllokuar në minutën e 53-të nga Aubameyang, por vendasit kanë reaguar në të 77-ën me Kehrer, i cili ka fiksuar rezultatin në 1-1.

Sot ka zbritur në fushë edhe Bayern Munich, që ka bërë një tjetër hap drejt titullit të pestë radhazi në kampionatin gjerman. Skuadra e Ancelotti-t është e treguar e pamëshirshme kundrejt Augsburg, që ka dalë nga “Allianz Arena” me “kocka të thyera”. Bavarezët, të cilët kanë realizuar 21 gola në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, kanë fituar sot me rezultatin 6-0, duke u ngjitur në kuotën e 65 pikëve në klasifikim dhe duke ruajtur distancën prej 13 pikësh me Leipzig-un e vendit të dytë, që ka fituar 4-0 në shtëpi kundër Darmstadt.

Për sa i takon ndeshjeve të tjera të kampionatit gjerman, të luajtura sot: Hamburg ka fituar 2-1 me Koln në shtëpi, ndërsa Werder Bremen ka fituar me rezultatin e thellë 5-2 në fushën e Freiburg. /telesport.al/