Dikur e quanin grabitës, sot Vetëvendosja synon ta bind Rrahim Pacollin për koalicion në Prishtinë

31.10.2017 16:35:19

SekretarIi organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli në facebook ka konfirmuar se kanë pasur një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe deputetin e VV-së, Dardan Sejdiu.

Në kohën kur po përfolet për koalicionet e mundshme në garën për Prishtinën, Pacolli ka shkruar në facebook se takimi ishte për të ardhmen e kryeqytetit.

“Sot gjatë ditës u takuam me Kryetarin e Prishtinës dhe diskutuam për të ardhmën e kryeqytetit”, ka shkruar në facebook Rrahim Pacolli.

Por, pikërisht sekretarin e AKR-së, Lëvizja Vetëvendosje para disa kohe e akuzonte për grabitje të mërgimtarëve, raporton lajmi.net

Me anë të një komunikate partia e Shpend Ahmetit që sot po synon koalicion me Selim Pacollin, e kishte cilësuar Rrahim Pacollin si “grabitqar”

“Kësaj radhe, rolin e përkrahësit zyrtar të institucioneve të Kosovës e mori vetë kryeparlamentari Kadri Veseli. Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes para më shumë se një viti.

Madje, Vetëvendosja kishte bërë thirrje që Pacolli të hetohej pasi sipas tyre nën kontrollin e tij ishin grumbulluar mbi 120 milionë euro, që janë përdorur në kundërshtim me ligjin.

Ata kishin kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi që ta hetojë këtë rast.

“Deri më tani, nga llogaritë e thjeshta del se nga kjo dyshe, nën kontrollin dhe për egon e tyre të pangopur, janë grumbulluar mbi 120 milionë euro. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, para institucioneve, as para opinionit të Kosovës, dyshojmë se pjesa dërmuese e kësaj shume, është përdorur në kundërshtim të çdo rregulli dhe ligji të një shteti të drejtë.Ngritja e zërit dhe denoncimi para prokurorit të shtetit të bëhet urgjent dhe pa mëdyshje. Dyshja, Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi, të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgohen para gjykatës. Kjo detyrë, pa hezitim, i takon dhe duhet ta marrë përsipër Prokurori i Republikës së Kosovës Aleksandër Lumezi”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes.

Ndryshe, Rrahim Pacolli ishte emëruar si shef i delegacionit që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet për Kartonin e Gjelbër me Serbinë.

Kohëve të fundit, Shpend Ahmeti publikisht është shprehur i hapur për një koalicion me Selim Pacollin e AKR-së.

Ky i fundit në zgjedhjet e 22 tetorit kishte marrë më shumë se 10% të votave. /Lajmi.net/