DnV: Pati disa parregullsi në hapjen e qendrave të votimit

22.10.2017 10:27:56

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur disa parregullsi që kanë ndodhur në hapje të qendrave të votimit.

Albert Krasniqi nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” tha se përmes vëzhguesve të tyre deri më tani kanë marrë informacionet se nga ora 07:00 kur ka filluar hapja e qendrave të votimit, janë shënuar disa parregullsi, siç janë mungesa e vulave, prania e njerëzve të paautorizuar afër qendrave të votimit, prani e materialeve propaganduese të partive e tjera.

Krasniqi ka kërkuar nga KQZ-ja që të jap shpjegime për mungesën e vulave në Deçan, pasi sipas tij, kjo mund të qoj tek ‘treni bullgar’ ku vulosen fletëvotimet që nuk janë marrë në vendvotim.

“Në 2.4 për qind të vendvotimeve ka munguar materiali i votimit, ku rastet me të shumta janë në Deçan ku ka munguar vula për vulosjen e fletëvotimeve. Në disa vendvotime pasi ka filluar votimi menaxherët e qendrave të votimit kanë shkuar dhe kanë marr vulat pa dhënë shpjegimin pse po ndodh kjo. Raportohet se ka pasur ngatërresa duke mos i dhënë vulat për vendvotimin që është dashur t’i jepen dhe mund të qoj që ato fletëvotime që janë votuar të shpallen të pavlefshme sepse nuk përputhen me vulat që duhet të jenë në atë vendvotim. KQZ duhet të jap shpjegime pse ka ndodhur kjo sepse kjo mund të qoj tek treni bullgar ku vulosen fletvotimet që nuk janë marrë në vendvotime. Në dy qendra është raportuar për mungesë të librit të votimit, një rast është në Prizren dhe tjetri në Mitrovicën e Jugut”, theksoi ai.

Afër qendrave të votimit edhe në këto zgjedhje, Krasniqi tha se po qëndrojnë persona të paautorizuar që përbëjnë rrezik që t’i frikësojnë dhe ndikojnë tek qytetarët të cilët shkojnë për të votuar.

“Ne kemi marrë njoftimin për 18 raste, ose në 0. 81 për qind të vendvotimit dhe këta persona qëndrojnë afër vendvotimeve dhe përbëjnë rrezik për t’i frikësuar votuesit ose për të ndikuar në ta. Janë tri raste në Rahovec, tri në Mitrovicë, dy në Prizren, dy në Ferizaj, pastaj komunat tjera janë nga 1”, u shpreh ai.

Krasniqi shtoi se prania e grave komisionere është 29. 24 për qind në total.