Vota ime nuk ndryshon edhe po qe se 47 herë do të përsëriteshin zgjedhjet!

22.10.2017 10:30:29

Nga Rexhep Kastrati

Të nderuar miq, vota është mekanizmi vendim-marrës i qytetarëve. Gjatë viteve, vota u shit e u ble, u ndryshua orientimi i saj gjatë procesit pas mbylljes së kutive për qytetarë dhe hapjes për komisionerë dhe struktura të KKZ-ve dhe të KQZ-së që e kanë ndryshuar vullnetin real të qytetarëve. Edhe në këto zgjedhje nuk ka siguri se nuk do të ndodhë kështu, sepse nuk pat as në zgjedhjet e fundit.

Megjithatë, duhet të votojmë dhe të kërkojmë llogari për votën që japim. Dhe kjo llogari do të duhet të kërkohet edhe nga institucionet që organizojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Është momenti kur pushteti duhet t’u kthehet qytetarëve e jo matrapazëve dhe atyre që kanë keqpërdorë pushtet. Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë më mundësi që të humbin perspektivën për llogari të matrapazëve të ndryshëm.

Kosova është në udhëkryq dhe e varur nga Serbia edhe për shkak të një Qeverie 41-20, edhe për shkak të një klase politike të shantazhuar!

Vota ime nuk ndryshon edhe po të përsëriteshin 47 herë zgjedhjet, dhe kam duruar më shumë se 47 herë matrapallëqet e individëve-vegla që kanë bërë dhe bëjnë punën e të tjerëve. Vota ime është votë për Kosovën, është votë për liri, pavarësi, demokraci, është votë për të bërë ndryshimin në të gjitha nivelet, dhe në të gjitha strukturat!

Në ditën kur janë mbajtur zgjedhjet e para lokale, më 20 tetor 2000, pra si dy ditë më parë 17 vjet më parë, kam pas botuar një shkrim në të cilin kam theksuar rëndësinë e një dite për proceset në botën moderne, duke iu referuar filozofit francez, Anri Lëfevrë. Dhe si atëherë, edhe sot, dita ka rëndësi të veçantë, ora ka rëndësi të veçantë, minuti ka rëndësi të veçantë.