Dopingu, Usain Bolt humbet medaljen e artë (foto)

25.01.2017 16:34:05

 

Atleti xhamajkan Usain Bolt ka humbur një nga 9 medaljet e arta olimpike të fituara në karrierën e tij. Më saktë, sprinteri xhamajkan ka humbur të artë e fituar në stafetën 4×100 metra në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, pasi një nga katër atletët xhamajkanë që kanë marrë pjesë në atë finale ka dalë pozitiv. Ai është Nesta Karter, por kaq ka mjaftuar që edhe tri atletët e tjerë që garuan në atë stafetë të humbasin të drejtën e medaljes së artë.

Pozitiviteti i Karter dihej, pasi ky lajm u mësua që pas Olimpiadës së Rios. Por ishte thjesht çështje kohe që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të merrte vendimin për t’i hequr të artën Xhamajkës. Bolt humbet kështu një rekord, pasi ishte atleti i vetëm që kishte fituar tri medalje të arta në tri Olimpiada radhazi, në të njëjtat disiplina (100, 200 dhe stafetën 4×100 metra). Njeriu më i shpejtë në botë triumfoi në Pekin, Londër dhe vjet në Rio, duke qenë një legjendë.