Drejtori i KOSTT-it: Me teke personale të deputetëve nuk zhvillohet shteti

02.02.2019 17:07:13

Drejtori i ndërmarrjes KOSTT, Ilir Shala, ka thënë se me aprovimin e Ligjit për Paga në Kuvend, sot po fillon një ditë e rëndë për ndërmarrjen që ai e drejton.

Sipas tij, kufizimi i pagave në nivelin midis një dhe shtatë, është fillimi i shkatërrimit të ndërmarrjes KOSTT.

“Ky është nënçmim, degradim, poshtërim për të gjithë neve stafin e KOSTT-it, që kemi arritur me mund dhe sakrificë ta ndërtojmë dhe ta ngritëm në nivelin evropian, ku shumë kompani homologe në rajon dhe në Europë na kanë zilinë për profesionalizmin dhe rregullsinë që kemi”, ka shkruar Shala në facebook.

Ai tha se KOSTT-i nuk mund të krahasohet me kompaninë e pastrimit, ujësjellësit, e ndërmarrjet publike tjera në Kosovë.

“Me inate dhe teke personale të deputetëve tanë nuk mbahet dhe nuk zhvillohet shteti e as KOSTT. Jam i bindur se më shumë se 80 për qind e deputetëve as që e dinë se çka është KOSTT dhe cili është roli dhe përgjegjësia e saj”, shtoi tutje ai.