Dy muaj afat për ratifikimin e Demarkacionit

11.11.2017 21:05:54

Institucioneve të Kosovës u kanë mbetur më pak se dy muaj që të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nëse synojnë të ecin përpara me procesin e liberalizimit të vizave.

 

Ky mesazh, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, u është transmetuar javëve të fundit si nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga zëvendës ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili qëndroi para pak ditësh në Prishtinë.

Marrë parasysh se në Bruksel pritet që fokusi të orientohet kah zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, vonesat e reja në Prishtinë rreth ratifikimit të Demarkacionit, besohet se do të reflektonin në zvarritje të reja në procesin e liberalizimit të vizave.

Për urgjencën e përmbylljes së çështjes së Demarkacionit ka folur vetë ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila kohë më parë ka qëndruar në Bruksel. Ajo ka pranuar se zyrtarët e BE-së janë të interesuar që kjo çështje të mbyllet pa vonesa të reja.