E dashura nënë: Gëzuar 8 Marsin!

08.03.2019 12:04:59

Nga Fatmir Terziu

Gjumi nuk vjen lehtë tek një burrë si unë, ende përkëdhelet nga ninullat e tua.
Nga tundjet e djepit të vogël të zbukuruar nga duart e ustait më të mirë të asaj kohe me kapakë shishesh, bojërash të ndryshme, me djegje delikate tradicionale në drurin e shkulur nga korijat tona. Gjumi si gjumë tashmë nuk është në stigmën e një fëmije.
E di këtë edhe vetë gjumi.
E ndjen vetë trupi, e shtrenjta nëna ime. E di trupi dhe e ndjen truri …
Kockat e mia vuajnë nga aventura që ende nuk mund të prek ëndërrën e madhe, mendja ime është e shqetësuar me mendime të vazhdueshme për atë që mund dhe nuk mund të jetë.
Edhe pse, unë jam i sigurt se trupi dhe truri juaj është i kapërcyer me lodhje e mendime në gjumë dhe për të nuk ka pushim,
në paqe, të gjitha ndjesitë i ndjej, i dëgjoj.
Ata thonë, ju jeni duke fjetur dhe duke biseduar me engjëjt dhe ju jeni nëna ime më e shtrenjtë duke bërë gjumin mbledhje, kuvendime, parashikime, ëndërrime …. për ne fëmijët e tu, për nipërit e mbesat e tua, për nuset që i doje si vetja.
Je duke na zgjedhur një vend më të mirë.
Nëna ime e shtrenjtë, cili është ky vend më i mirë?
A është bari i gjelbër, qielli blu dhe dielli që rri poshtë?
A i ka në hartën e tij lumenjtë, liqenet, detet, të ndarë nga ndotja, soji ynë Njeri që ka kohë që i ka mallkuar për të jetuar?
A janë aty njerëzit që të vrasin me buzëqeshje në vend të plumbave?
E mira nëna ime, pasi ke menduar dhe zgjedhur shumë, a të duket se ai vend vërtet ka ndryshuar?
Nuk jam më i vogël, (përveçse në ëndërrat e tua, në përkëdheljet e tua) dikur i lëvizshëm, flurak në rrugë e në krye të punëve, i lumtur dhe shpresëdhënës, tashmë një ballë i mbushur me rrudha … e ai është lënë zgjuar pa ju. Jam me ty nëna ime. Jam me ty. Por Ti je larg dhe buzët e tua më mbetën në ballë!
Sytë e kaltër, sytë tuaj, janë më të ndritshëm dhe janë më të plotë në dashuri;
tani sytë e tu janë një magazinë e madhe, aty hyn një glob, një Glob i madh ku shëtisin molekulat e trupit tënd, geni yt në Prato, Amidia, Athinë, Londër e … aty ku na mban gjallë përkëdheljet dhe puthjet … deri në dritë të ditës…
e vetmja dritë që sheh natën është kur sheh hënën në kërkim të ëndërrave dhe dëshirave të tua për ne.
Ju, e shtrenjta nënë. Ju. Ju. Ju.
Ne jemi vetëm disa buqeta me lule e trëndafila në sytë e tu.
Jemi vite dhe ritme të mbledhura në thinjat e tua, shtatë këshilltarë dhe miliarda urime në 8 Mars.
Buzëqeshje. Krenari. Një uragan brenda kokës së një djaloshi, që ti ende e përkëdhel si të vogël, sepse nëna është e tillë. Është gjithnjë me mua këtu …
Se ti e shtrenjta ime, Nëna ime, e di se ku është më mirë, dhe çdo natë qëndron zgjuar dhe sheh hënën dhe shpreson se sytë e saj janë në drejtimin e duhur …,
sepse Hëna flet me nënën e saj dhe nëna e saj nuk po flet prapa,
por të paktën ndihet
një lidhje. Një lidhje e pandashme dashurie. Lidhje nënash Hyjnore.
E dashur nëna ime…
E dashura nënë: Gëzuar 8 Marsin!
Të dashura nëna Gëzuar 8 Marsin!

Fotografia e Fatmir Terziu