Edhe pas 20 vitesh, Klina kërkon zbardhjen e fatit të të zhdukurve

04.04.2019 14:16:32

Përmes një akademie përkujtimore, Klina ka shënuar sot ditën e të zhdukurve, ditë kjo kur 20 vjet më parë paramilitarët serbë dëbuan dhunshëm qindra qytetarë nga shtëpitë e tyre, e dhjetëra nga ta për t’i zhdukur pa gjurmë.

Në këtë tubim përkujtimor u kërkua që institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që përfundimisht të zbardhet fati i të pagjeturve të Klinës dhe gjithë Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nën patronatin e të cilit u organizua kjo akademi përkujtimore, kujtoi edhe të martirët e Kralanit, me ç ‘rast tha se kujtimi për ta dëshmon respektin dhe nderimin për sakrificën më sublime të njerëzve që ishin në shërbim të vendit.

Haradinaj u shpreh se është koha që të gjithë martirët e Kosovës të trajtohen si kategori e lirisë së vendit.

E për kryetarin e komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tubimi i sotëm ka një simbolikë të veçantë, pasi siç tha ai, me dhembjen dhe krenarinë e qytetarëve të Klinës bashkë ndjen i gjithë populli i Kosovës. Duke kujtuar ditën e 4 prillit të vitit 1999, Elezaj tha se fati i të zhdukurve të asaj dite nuk dihet as sot. Për këtë, ai kërkoi nga institucionet vendore e ndërkombëtare që të mobilizohen për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.