Tragjedia ajrore në Etiopi, raporti hetimor shfajëson pilotët

04.04.2019 14:19:33
Pilotët e avionit “Boeing 737 Max”, të kompanisë ajrore “Ethiopian Airlines” nuk kanë gabuar.
Katër javë pas tragjedisë ajrore është publikuar raporti i parë hetimor, i cili tregon se ata i kanë respektuar të gjitha rregullat. Aksidenti, gjithmonë e më e qartë është se ka qenë pasojë e një gabimi të “software”-it.

Pilotët kanë ndjekur me përpikmëri rregulloren e parashkruar, por nuk kanë arritur ta vendosin dot mjetin nën kontroll. 157 vetë humbën jetën prej aksidentit ajror, i cili e vuri nën presion të madh prodhuesin amerikan të avionëve, “Boeing”, si dhe vet Autoritetin amerikan të Aviacionit “FAA”.

Në fokus të kritikave është një “software”, i cili pas rrëzimit të të njëjtit tip avioni “Boeing” në Indonezi, ku humbën jetën 189 vetë, shihet si shkaku më i mundshëm i fatkeqësisë, raporton “Tch”.

“Boeing” premtoi pas tragjedisë se do të kryejë një ripunim të programit, por përditësimi i tij ende nuk është kryer. Deri në sqarimin e plotë të ngjarjes është vendosur që modelet e konsideruara si më të suksesshmet e shitura nga “Boeing”-u, “737 Max”, të qëndrojnë në tokë.