Edi Rama në samitin e Bledit: Nuk mund të zgjidhen çështjet globale në nivelin kombëtar

06.09.2016 14:16:29

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka folur në forumin strategjik në Bled të Sllovenisë për çështjen e refugjatëve. Ai tha se muret nuk janë zgjidhje, por duhet ndërveprim mes vendeve. Gjithashtu kryeministri theksoi se reforma e Bashkimit Europian është e nevojshme, ndërkohë që ka theksuar domosdoshmërinë e zgjidhjeve të përbashkëta.

Përveç kësaj, Rama është shprehur se është e pamundur në nivel kombëtar  që të zgjidhen çështjet globale, por ka thënë se duhet reformim i institucioneve me qëllim që të përballen me ndryshimin nga globalizmi.

“Bindja ime është se ne po përballemi në nivel kombëtar me gjera që janë gjithnjë e më shumë jashtë mundësive tona për t’i kontrolluar dhe të cilat duhet të kontrollohen në nivel global dhe me më shumë ndërveprim. Sigurisht, reforma e Bashkimit Europian është absolutisht e nevojshme, por kur dhe si mund ta bëjmë këtë reformë në këto kushte.

Kushte kur kemi parë në mes të krizës së refugjateve, vende si Sllovenia, si Kroacia, të cilët janë anëtare të BE-së, por jo nga vendet më të fuqishme dhe të pasura dhe pastaj Serbia dhe Maqedonia, që nuk janë vende anëtare të BE-së, por që aspirojnë te bëhen, të cilat u sollën shumë më mirë dhe në mënyrë shumë më europiane sesa disa vende shumë më të pasura europiane dhe që mendojnë se çdo gjë varet nga gjeografia dhe që për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike, Sllovenia, Maqedonia, Sllovenia, Serbia, Kroacia , Greqia sidomos, duhet t’i marrin të gjithë, dhe për shkak të vendndodhjes gjeografike, disa vende të pasura të thonë ‘jo’. Ku janë vlerat europiane këtu? Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo? Dhe ata mendojnë në mënyrë të gabuar se duke i mbajtur jashtë kufijve të tyre, nuk do të preken. E kundërta është e vërtetë” tha Rama.

Zërat për braktisjen e projektit europian, Kryeministri i cilësoi si mungesë vizioni mbi botën e sotme. Askush, në vlerësimin e Kryeministrit, nuk mund të ndërtojë një vend më të sigurt në shtëpi, nëse nuk do të jemi të ndërlidhur.

“Brenda BE-së ka akoma një problem shumë të madh në lidhje me koordinimin e inteligjencës. Imagjinoni tani, nëse gjithsecili do të shkojë për hesap të vet, në një botë ku ka gjithnjë e më shumë nevojë për koordinim, si do shkojnë punët për sa i përket sigurisë. Këta njerëz që thonë “ta lëmë Europën, të shkojmë në kështjellën tonë dhe të mbrohemi nga barbarët”, ata nuk e kanë aspak idenë sesi do e zhvillojnë ekonominë në kështjellën e tyre. E dyta, ata nuk e marrin aspak parasysh sesi dhe sesa shumë ka ndryshuar struktura e botës dhe natyra e armikut. Pra, çështja nuk ka të bëjë më me faktin se po lufton një armik jashtë mureve të kështjellës, por një armik që gjendet në çdo oborr dhe në çdo prag. Askush nuk mund të ndërtojë një vend më të sigurt, nëse nuk do të jemi të ndërlidhur”.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria beson tek Bashkimi Europian dhe nuk ka nevojë për referendum për t’iu bashkuar BE-së. “Është si të bësh një referendum në lidhje me faktin nëse duam të jetojmë në histori, apo të dalim nga historia.”

Në Forum u angazhuan vendimmarrës në nivele të ndryshme, politikanë, ekspertë të sigurisë dhe opinionistë. Forumi, i cili u lançua në vitin 2006 për të promovuar dialogun e hapur mbi sfidat e kohës, politike, të sigurisë dhe zhvillimit, debatoi mbi qasjen e vendeve dhe shoqërive ndaj tyre.