Emigrantët në Shqipëri, Rama: Gjest human, Italia s’na la në mes të detit

27.08.2018 13:08:26

Nga samiti informal i kryeministrave të Ballkanit i mbajtur në Durrës, kryeministri Rama ka deklaruar se situata ekonomike në rajon është më e mirë se 4-5 vjet më parë.

Rama u pyet edhe për vendimin e Shqipërisë për të pritur 20 emigrantë nga Eritrea, duke sqaruar se bëhet fjalë për një gjest njerëzor dhe aspak të ndikuar nga gjëra të tjera.

“Nuk e bëmë për të ndikuar, por që s’mund të rrinim spektatorë para një shfaqjeje turpi, ku njerëz që janë larguar nga ferri, u kthyen në të burgosur të impotencës politike. Është një gjest i natyrshëm si shqiptarë dhe europianë, por edhe si njerëz që ishim ne dje që Italia s’na la në mes të detit. Nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehtë, edhe pse është në frymën e botës tonë mediatike që të kërkojë gjëra të tilla”, – ishte komenti i kryeministrit.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare tha se pritshmëritë e njerëzve janë të larta, kështu që bashkëpunimi mes të gjitha vendeve është i rëndësishëm.

“Njerëzit e dinë se në rajon sot gjërat janë më mirë se ç’ishin 5 vjet më parë. Por krahasimi jo vetëm nuk mjafton, por ne jemi të sfiduar nga fakti që njerëzit krahasojnë gjendjen e tyre në rajonin tonë, me Gjermaninë e Francën. Kemi pasur një diskutim me Dushkon (kryeministri malazez) për sfidën e punësimit, që i has i gjithë rajoni për të përfshirë në tregun e punës më të rinjtë që janë të prirur për një punë në shtet, se një punë në privat. Kemi pasur një periudhë rritjeje punësimi në rajon, qëndureshmëri ekonomike. Kur kemi këtë rritje me shifra, njerëzit janë të prirur të rrudhin buzët, – shpjegoi Rama. – Ndaj është e nevojshme të shfrytëzohet potenciali ynë i përbashkët përmes shkëmbimit tregtar e bashkëpunimit”.

Rama më pas foli edhe për marrëdhëniet ekonomike me Kosovën: “Me Kosovën jemi një familje e ndarë nga një kufi që nuk na pengon dhe kur vjen puna te bashkëpunimi ekonomik kemi disa probleme. Do kapërcejmë 2-3 ngërçe në takimin mes dy qeverive në nëntor në Pejë, që janë të trashëguara për lehtësimin e burokracive në kufi”.