Emisarët amerikanë takim 3 orësh me Thaçin dhe Ekipin e Dialogut

28.02.2019 13:36:10

Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme por edhe sot ka zhvilluar takime të pandërprera me liderë të partive politike.

Mbrëmë është zhvilluar edhe takimi i tij me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Për këtë takim zëdhënësi i LDK, Besian Mustafa, ka thënë se vet Presidenti Thaçi ka kërkuar takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas tij, presidenti e ka njoftuar Mustafën, rreth vizitës së dy zyrtarëve nga SHBA-ja dhe kërkesave të tyre drejtuar koalicionit qeverisës.

Ndërkaq, nga burime në Presidencë është mbajtur edhe një takim shumë i gjatë sërish me dy emisarët e Shtëpisë së Bardhë, ku pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe Ekipi Negociator dhe pothuajse të gjithë liderët e koalicionit qeverisës.

Ky takim i shumicës së liderëve politikë me Drejtorin për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, si dhe me Drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, ka zgjatur rreth 3 orë në zyrën e presidentit Thaçit.

Zyrtarët nga kabineti i presidentit nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje. Ata nuk e kanë mohuar takimin e sotëm, por kanë thënë se çfarëdo që kanë pasur të thonë rreth vizitës së zyrtarëve amerikanë, e kanë thënë dje përmes komunikatës zyrtare.