Falenderimi më i madh ndaj NATO-s sot e përgjithmonë është të fitojmë lirinë e brendëshme

24.03.2019 18:49:56

NATO- ja na ka çliruar dhe e ka kryer një detyrë humane, na ka dhënë lirinë fizike, por ne ende nuk e kemi fituar lirinë e brendshme dhe si pasojë kësaj mungese, jemi krejt të çoroditur: shtiremi dhe nuk jemi të vërtetë as kur falënderojmë e as kur përbuzim, as kur kritikojmë e as kur lavdrojmë.
Shqiptarët e Kosovës, të ligështuar moralisht si kurrë më parë, janë në vorbullën e krizave të thella identitare dhe nuk dinë çka duan dhe kah duan të shkojnë. Ata nuk i udhëheqë asnjë një ide e ideal i madh, përkundrazi, ideali më madh është ikja nga Kosova ose zhvatja e këtij vendi për hesape personale.
Volteri, thoshte: “liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar”. Këtë aftësi, nuk kemi ditur ta demonstrojmë tash e sa vite, prandaj edhe pas dy dekadash të plota lirie, ne vazhdojmë të kukurisim dhe jo të bëjmë politikë, vazhdojmë të marrin diploma, por jo dije, vazhdojmë të jemi më të varfëritë dhe me të shkretit në Europë, kurse sillemi si dhia e zgjebosur e bishtin përpjetë.
E pse jemi kaq të mjerë, nuk na faj askush, përveç vetja jonë, egoizmi dhe mos guximi për t’ i emëruar gjërat ashtu siç janë, mos aftësia për të vepruar të lirë dhe për të qenë të vërtetë me vetveten dhe me të tjerët.

Mendim i Volterit, më kujton një takim të para disa vitesh me një ambasador të rëndësishëm të një vendi të NATO- s.
Ishte pikërisht muaji mars.
Ambasadori dëgjonte diskursin patetik, respektin dhe falënderimet tona për Aleancën që na solli lirinë, por nuk dukej aspak i lumtur me këtë. Unë e kuptova se elozhet e mërzitën.
Pas disa minutash, me një qesëndi therëse, na u drejtua:
“Pse na falënderoni kaq shumë. Ne kemi kryer detyrën tonë, por ju nuk e keni kryer punën tuaj. E shihni si është bërë Prishtina e juaj, një kryeqytet kaotik.”
Doli në dritare, prej ku shtrihej qyteti gri dhe pa kurrfarë shije estetike dhe vazhdoi:
“Mos na falënderoni kaq shumë, por ndërtojeni Kosovën tuaj, ashtu siç keni aspiruar: të lirë, demokratike dhe të prosperuar. Ky është falënderimi më i madh për ne.”
Ambasadori, me një fjalë, thoshte: ne ju kemi dhënë krah, por jo nuk po fluturoni. Përkundrazi, ju ecni zvarrë, nuk artësoheni, por po tkurreni deri në hiçgjë.
Ose, thënë me gjuhën e Volterit, ai na thoshte, ne ju kemi krijuar mundësitë për të vepruar- por jo nuk veproni, por kukurisni dhe mashtroni.
Jam shumë i sigurt se këtë gjë e duan të gjitha aleatët tanë që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Këtë gjë na thonë- herë në mënyrë të hapur e herë të heshtur- edhe sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë tjetër.
Zhvillimet e dy viteve të fundit kanë treguar se ne jemi shumë mosmirënjohës dhe të pasinqertë me perëndimin, të cilit, lehtësisht mund t’ ia ngilim thikën pas shpine, siç u tentua para ca kohësh.

Prandaj, falënderimi më i madhi ndaj NATO-s sot e përgjithmonë është: ta fitojmë lirinë e brendshme; atë lirinë e njëmend, lirinë e shpirti, dhe t’i heqim heshtat e helmuara nga duart tona; ato heshta me të cilat, deri tani, kemi qenë të gatshëm ta shporojmë trupin e njomë të Kosovës sonë.