“Familja Tot” shfaqet në Teatrin Kombëtar të Tiranës

15.10.2016 11:11:29

Deri sa është në gjendje të durojë njeriu, për të mos shkelur mbi dinjitetin e tij? Kjo është pyetja që ngre tragjikomedia “Familja Tot”, që pritet të vijë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar në datën 21 tetor për të vazhduar cdo mbrëmje deri në 30 tetor, nën regjinë e Andia Xhungës. E shkruar nga dramaturgu hungarez Istvan Orkeney në të do të intepretojnë  aktorë të njohur të skenës si: Bujar Asqeriu, Olta Daku, Ndricim Xhepa, Indrit Çobani, Adelina Muça, Sokol Angjeli, Suela Konjari, Vangjel Toce, Xhevahir Zeneli. Skenografia e realizuar nga Genc Shkodrani dhe kostumet nga Blerina Kokona pritet të sjellin imazhin e një familje të vërtetë hungareze të kohës që Orkeney tregon. Eshtë historia e familjes Tot që jeton në ankth, për fatin e djalit të tyre që ndodhet ushtar në luftë…

Ditën që atyre u vjen per vizite komandanti i djalit, nis një kalvar nënshtrimesh përballë kërkesave të pazakonta të Majorit…. Pjesa ka të bëjë me nënshtrimin e njeriut ndaj pushtetit, që njerëz të ndryshëm nënshtrohen në mënyra të ndryshme për qëllime dhe interesa të ndryshme, dikush bën më pak, dikush bën më shumë rezistencë.

“Në konceptin tim regjisorial kemi të bëjmë me një qytezë, që të gjithë të rinjtë janë larguar për një jetë më të mirë dhe po luftojnë për këtë jetën më të mirë, dhe në qytezë kanë mbetur vetëm njerëz të moshuar. Kemi dhe një prift, i cili dhe vetë po vë në dyshim besimin e tij tek zoti, por të gjithë shkojnë të falen tek ky sepse nuk ka tjetër, po kështu dhe me mjekun që është gjysmë pacient dhe gjysmë mjek, por tek ky shkojnë të kurohen sepse nuk ka mbetur tjetër. Po plaket popullsia, sepse rinia po largohet për një jetë më të mirë”, është shprehur regjisorja Xhunga.

Istvan Orkeny  është një  nga nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë Hungareze, të shek. të 20-të. I njohur si mjeshti i Groteskut… “Famija Tot” është fituese e cmimit “Grand Prize for Black Humor” në Francë…