Filarmonia e Kosovës mbledh të hënën artistë të famshëm botërorë

17.09.2016 17:20:41

Filarmonia e Kosovës tashmë ka bërë të gjitha përgaditjet e nevojshme për të nisur me sezonin e ri.

Kështu është bërë e ditur në një konferencë për media të organizuar nga Filarmonia e Kosovës, rreth koncertit i cili do të mbahet ditën e hënë, ku edhe do të shënohet hapja e sezonit të ri.

Organizatori i Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, tha se programi do të jetë mjaft atraktiv, duke shtuar se përbërja e solistëve është ndryshe nga vitet e kaluara.

Solistët të cilët do të përformojnë sipas Selimajt janë të suksesshëm në skenën evropiane të muzikës e edhe më gjerë.

Selimaj: Koncerti mbledhë artistë jashtëzakonisht të suksesshëm

“Në koncert do të interpretohet koncerti për violinë dhe orkestër i kompozitorit Strauss, për të cilin jemi shumë të lumtur… jemi të entuziazmuar për arsye se atë do ta interpretojë një violinist jashtëzakonisht shumë i suksesshëm Robert Schumann, që është edhe mjeshtër i orkestrës Filharmonike të Lluganës. Ndërsa në program do të kemi edhe dy vepra të tjera për piano edhe trumbetë i kompozitorit Shostakovich, në të cilën në rolin e solistëve do të prezantohen Olga Zado pianiste ukrainase e cila jeton edhe vepron në Gjermani dhe trumbetisti Nikolai Stranatkovski, i cili po ashtu vjen për herë të parë në Prishtinë edhe është trumbetisti më premtues të gjeneratës së re. Ajka e koncertit të se hënës do të jetë simfonia e Schuman-it që nga Filharmonia e Kosovës vjen e interpretuar për herë të parë” tha Selimaj.

Dirigjenti i Filarmonisë ,Boian Videnoff, tha se kjo është hera e dyte që e orienton koncertin e Filarmonisë.

Ai tha se këtë vit  orkestra është më e mirë se vitin e kaluar, duke shtuar se solistët e rinj janë parë shumë entuziastë në këtë drejtim.

“Orkestra edhe pse është e re ka pasur një zhvillim prej vitit të kaluar në këtë vit, sidomos për faktin se ata janë të ri janë entuziast kanë shumë potencial. Në këtë ndihmon edhe fakti i involvimit të solistëve mysafirë të cilët vijnë në këto kohë me u koncertu me Filarmoninë e Kosovës dhe se potenciali që kjo orkestër ka është se mund të jetë një orkestër e mirë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë duke qenë një shembull se si një shtet i ri mund të prodhojë dhe të ketë një orkestër të suksesshëm” tha Videnoff.