Fluks mërgimtarësh në Dragash, por banorët thonë se nuk kanë frikë nga Covid-19

14.03.2020 13:21:04

Të pashqetësuar me njoftimet dhe lajmet e fundit rreth rrezikut të mundshëm prej koronavirusit kanë qenë qytetarë të Komunës së Dragashit këtë të premte.

Përkundër pozitës gjeografike të kësaj komune si zonë ndërkufitare dhe ardhja e bashkatdhetarëve, sidomos nga Italia e vendet e tjera sipas banorëve të këtushëm nuk paraqet shqetësim, raporton KOHA.
Ndërkohë, sipas nënkryetarit të Komunës së Dragashit, Selami Saiti, mosshqetësimi i qytetarëve është i arsyeshëm.

Ai thotë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në rast të shfaqjes së ndonjë rasti të mundshëm.
Ndërkohë, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare të Dragashit, Ramadan Jashari, tha se intervenimi i Komunës ka qenë i menjëhershëm për të parandaluar rrezikun nga virusi.
Ai tregon se edhe përkundër ardhjes së bashkatdhetarëve nga vende të ndryshme të Evropës, në këtë qendër nuk është regjistruar asnjë rast.