Forcat afgane në luftime me Talibanët

07.05.2017 16:09:58
Luftime të ashpra po zhvillohen në pjesën veriore të Afganistanit ku kryengritja talibane ka vënë nën kontroll disa distrikte gjatë “ofensivës së pranverës” që filloi disa javë më parë.

Kryengritësit talibanë i janë afruar ndjeshëm qytetit strategjik të Kunduzit, që ata e kishin marrë më parë në 2015.

Luftimet kanë rezultuar në bllokimin e rrugës që lidh Kunduzin me distriktin Khan Abad dhe provincën Takhar. Zyrtarët afganë të sigurisë thonë se ushtria ka filluar operacionet për të rihapur rrugën dhe se në përleshje janë vrarë dhjetra luftëtarë talibanë.

Dje forcat talibane morën distriktin Qala-e-Zal pas një ofensive me disa fronte në rajonin kufitar me Taxhikistanin. Autoritetet afgane thanë se forcat qeveritare ishin tërhequr qëllimisht që të mbronin civilët dhe rajonet përreth. Ministri afgan i Mbrojtjes tha se po planifikohet një ofensive për rimarrjen e distriktit.