Franca mbështet reformën në sistemin gjyqësor në Kosovë

27.05.2019 18:05:03

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert është takuar me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Sipas njoftimit për media, në këta takim u bisedua për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e drejtësisë.

“Që nga fundi i luftës dhe pavarësia e Kosovës, Franca ka qenë vazhdimisht e angazhuar në monitorimin dhe mbështetjen e reformave të nevojshme për vendosjen dhe konsolidimin sundimit të ligjit dhe përafrimin e Kosovës drejt BE-së. Disa projekte evropiane u zhvilluan me pjesëmarrjen e Ministrisë franceze të Drejtësisë dhe profesionistëve të lëmisë gjyqësore. Në vitet e fundit, gjykatësit francezë të nivelit shumë të lartë kanë përcjellur përvojën e tyre homologëve të tyre kosovarë, nëpërmjet një programi binjakëzimi institucional të udhëhequr nga Italia dhe Franca që ka pasur për synim përforcimin e këshillave të larta të gjyqësorit. (gjyqtarë dhe prokurorë). Kyprojekt qendror, për të siguruar përgjegjësinë, pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve, përfundoi në fillim të majit 2019”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se ministri Tahiri ka angazhuar me partnerët kryesorë aktivë në këtë fushë një proces ambicioz të hartimit të rishqyrtimit gjyqësor i cili duhet të publikohet në shtator 2019.

“Ambasadori i Francës vuri në dukje rëndësinë e këtij dokumenti strategjik i cili përcakton prioritetet për vitet në vijim dhe ai shprehu gatishmërinë për mbështetjen e plotë të Francës për zbatimin e reformave të vazhdueshme në fushën e drejtësisë”, thekson njoftimi.

Sipas komunikatës ministri dhe ambasadori e mirëpritën mundësinë e finalizimit në të ardhmen të një marrëveshjeje për bashkëpunimin dypalësh midis Kosovës dhe Francës. Përveç kësaj, ata vunë në dukje rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve dypalëshe të zbatuara për të mbështetur trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë dhe për të mbështetur pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit.

Ambasadori gjithashtu shprehu angazhimin e ministrive franceze të Punëve të jashtme dhe Drejtësisë, në përputhje me strategjinë e re franceze për Ballkanin perëndimor e paraqitur nga presidenti Macron në margjinat të Samitit të Berlinit, për të vazhduar të mbështesë reformën në drejtësi, veçanërisht në kuadër të projekteve të ardhshme evropiane.