Fund Marsi 1999, Prilli e Maji i dhembjeve të mëdha në Kosovë!

31.03.2019 22:32:11

Serbia e forcat e saj bënë krime-masakra të tmerrshme në Kosovë, Llapushë, Anadrini, Drenicë, Dukagjin…dhe nuk kërkoi falje!

Jusuf BYTYÇI

31 Mars 2019

Sot, në njëzet vjetorin e përjetimeve më të rënda, familjarë nga Dragobili, Astrazupi (Llapusha), Anadrinia e gjetiu, kujtojnë qindra më të dashurit e tyre, të flijuar pikërisht më 31 mars 1999, në masakrat e njohura te “Kroi i Mhillit” Burimi (Malishevë), përkatësisht në Pastasel të Rahovecit. Sot njëzet vite më parë, barbarët serbë, patën vrarë e masakruar 42 persona civilë nga Dragobili e Astrazupi, të strehuar në afërsi të Burimit, ndërsa në Pastasel të Rahovecit, vranë e masakruan hiq më pak se 106 veta, të moshave të ndryshme, edhe fëmijë. Janë mijëra viktima civile, përfshirë edhe shumë fëmijë, ish nxënës, gra lehona, nëna, njerëz të moshuar, edhe mbi 80 vjeç, edhe të sëmurë e invalidë! Mbi 700 të vrarë vetëm në Anadrini e Llapushë nga 25 deri më 31 mars, qindra të tjerë në fillim të prillit e majit 1999. Serbia e forcat e saj bënë krime-masakra të tmerrshme në Kosovë, Llapushë, Anadrini, Drenicë, Dukagjin…dhe nuk kërkoi falje! Afër 60 veta në Fortesë, 74 në Celinë, 46 në Brestoc, 241 në Krushë të Madhe, 113 në Krushë të Vogël, 42 në Burim, 106 në Pastasel, dhjetëra më pas në Nagac-Hoçë të Vogël, qindra të tjerë në Izbicë, Beleg e gjetiu. Dihet edhe për masakrën e parë në Llapushë, Plloçicë-Golluboc, (Malishevë) vjeshtë 1998, u masakruan dhjetëra persona, edhe fëmije. Banorët e Pastaselit, rikujtuan edhe vrasjen e “dytë” të 1O6 civilëve, nga ana e forcave kriminele serbe. Dy ditë pas masakrës, 12-13 veta, kryesisht banorë lokalë të mbijetuar, edhe mysafirë nga fshatrat tjera, kanë hapur varret dhe nën kërcënimet e vazhdueshme si dhe rrezikun e përhershëm të forcave serbe, kanë varrosur të gjithë të ekzekutuarit. Por, pa vonuar, barbarët që kanë shkaktuar masakrën, janë kthyer në vendin e krimit, dhe pasi kanë parë 106 varre rend më rend, kanë kryer edhe vrasjen e dytë të viktimave, duke i zhvarrosur e duke i ngarkuar ato në kamionë, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit të kryera më 31 mars 1999. Shi për këtë, edhe tani, familjarët kërkojnë vënien e drejtësisë për vrasje-masakrimin e më të dashurve të tyre 20 vjet më pare. Ata kërkojnë dënimin e kriminelëve, por njëherësh duan edhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të zhvarrosur e të zhdukur nga barbarët, disa ditë pasi ata ishin varrosur në një rend. Sot, u kujtuan masakrat e tmerrit në Burim e Pastasel, ndërsa dje, pardje…nga 25 e deri më 30 mars, më se 800 më të dashurit e tyre të vrarë e të masakruar nga barbarët, u kujtuan në Fortesë, Celinë, Brestoc e Krushë e Madhe (Rahovec), Krushë e Vogël (Prizren), Izbicë (Drenicë), Beleg (Deçan). Pos familjarëve, në tubime ishin edhe qytetarë të shumtë, strutura të ndryshme politike dhe institucionale. U fol dhe premtua si rëndom, por fatkeqësisht u punua pak, fare pak. Udhëheqja e Kosovës, nuk u angazhua as për gjetjen e të vrarëve të pagjetur! Ata, që nga pas lufta, punuan, me përkushtim për t’u pasuruar, nuk ngopen dot, edhe duke shfrytëzuar situatat e dhembjeve. Ndërsa, kreu i Serbisë, vë kushte për dialog! E, familjet dhe familjarët e qindra e mijëra viktimave jo vetëm nga këto masakra, duan drejtësi, paraprakisht duan së paku eshtrat e më të dashurve të tyre, ende të pagjetur, edhe identifikimin e shumë kockave, mbetjeve të të masakruarëve barbarisht 20 vite më parë, për t’i varrosur e nderuar me vizita te varri me adresë në vendlindje. Familjarëve që ende ëndërrojnë me më të dashurit e tyre, eshrat e të cilëve nuk janë gjetur, nuk shlyejnë dot nga mendja kujtesat më të hidhura, nuk po u mjaftojnë memoaret kolektive, apo lapidarët në vendflijimet e tyre! Shumë varret e mbetura bosh, presin së paku eshtrat me adresë!