Furgonët, edhe 1 javë; nga 1 janari licenca të reja për ndërurbanët

24.12.2016 18:38:55

Brenda këtij viti të gjithë operatorët e linjave të autobusëve ndërqytetas duhet të marrin licencat e reja në Ministrinë e Transportit.

Nga 1 janari i 2017 licencat e vjetra nuk do jenë funksionale, pasi hyn në fuqi ligji i ri për transportin e pasagjerëve me autobus mes qyteteve. Ligji i ri për transportin ndërqytetas të udhëtareve parashikon heqjen e furgonëve nga këto linja.

Kriteret janë përcaktuar qartë ndërsa licencat janë me afat 5-vjeçar. Për një periudhë nga 3 – 9 muaj, Ministria e Transportit do të monitorojë zbatimin dhe funksionimin e rrjetit të linjave, si dhe të subjekteve të pajisura me licencë, me qëllim vlerësimin e operimit të tyre në përputhje me kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor.

Një nga kërkesat e rëndësishme është që bashkitë të përcaktojnë vendndodhjen e terminaleve të autobusëve, po ashtu  shoqëritë duhet të rinovojnë 20 % të flotës së  mjeteve gjatë vitit të parë licencës.

Organizimi i ri ul ndjeshëm linjat e transportit interurban që janë aktualisht ne funksionim, nga 588 do të mbeten 326.