Gashi: Nga janari 2018, pagat do të jenë pesë për qind më të larta

03.11.2017 20:36:06

Rreth 83 mijë njerëz që punojnë në sektorin publik në Kosovë, nga janari i vitit 2018 do të marrin paga më të larta, ka thënë Fatmir Gashi, zëvendësministri i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik.

“Në projeksionet e buxhetit të vitit 2018, ka hyrë edhe rritja e pagave. Prej janarit do të fillojë rritja prej pesë për qind për të gjitha organizatat buxhetore të Kosovës. Ky buxhet fillon me rritjen e pagave. Skemat sociale i kemi parasysh. Rritje do të ketë në shtyllën e drejtësisë, si për Policinë, Agjencionin Kosovar të Inteligjencës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillon Prokurorial, por rritje do të ketë edhe në fushën e shëndetësisë”, ka thënë ai në Info Magazine të Klan Kosovës.

Buxheti për vitin 2018 do të jetë rreth 1,829 miliardë euro. Sipas zëvendësminsitrit të Financave, ky buxhet është plotësisht në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Gjatë vitit 2018 do të jetë edhe më stabil”, tha ai.