Gaxherri dhe Pacolli përplasen në Kuvend – për maskat

14.07.2020 11:50:30

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Besa Gaxherri dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Fitore Pacolli janë përplasur në Kuvendin e Kosovës për një propozim për blerjen e maskave në vlerë prej tre milionë euro, për mbrotjen ndaj COVID-19.

Gaxherri tha se në vend që të bëhet blerja e tyre, më mirë të punësohen 300 mjek.

Ajo dha një ide se si mundet secili qytetarë të qep maska vet në shtëpi, në mënyrë që të kursehet buxheti i shtetit.

”Njëri nga deputetët ka propozuar që tre milionë euro me ble maska. Në këtë kohë të vështirë pandemie, ne mund të qepim maska në shpi. Me këto tre milionë ne mund të punësojmë 300 punëtorë shëndetësorë. Maskat secila grua dhe burrë t’i qepim dhe t’i përdorim”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, menjëherë ka reaguar deputetja Pacolli e cila e pyeti Gaxherrin se ku e ka marrë maskën të cilën e ka vendosur sot.

“Ku e ke marr maskën që e ke vendos sot? E ke marr tek Kuvendi i Kosovës që ka ofruar maska pa pagesë, e po ke të drejtë që ta ngresh zërin”, i tha ajo.

Ndërsa, Gaxherri iu kundërpërgjigj duke i thënë që ajo i ka disa maska, prej të cilave ka edhe të tilla që i ka qepur vet.

“I kam nga dy tri maska shumë përdorimshe në shtëpi. Pusho dhe mësohu të mësosh gjërat elementare siç është replika. Kosova është në një gjendje të rëndë ekonomike. Kur Gjermania ka qenë në krizë të rëndë ekonomike sa vite kanë ngrënë vetëm patate, e ne nuk mund të qepim një maskë. A është më urgjente me iu dhënë një tender  një prodhuesi vendor, a më e rëndësishme të punësojmë 300 mjekë”, ka thënë Gaxherri.