Gjatë vitit 2017 do të ketë 12 valë të shitjeve të aseteve

22.12.2016 16:59:53

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës, ku u diskutuan çështje të shumta të përcaktuara me rendin e ditës dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Bordi ka miratuar valën e re të shitjes së aseteve të NSH-ve përmes likuidimit, SHAL 29, e cila është planifikuar të shpallet me datën 20 janar 2017 dhe dita e shitjes do të mbahet me 22 shkurt 2017. Kjo valë përfshinë 57 asete në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në këtë mbledhje Bordi miratoi edhe Planin e Punës të AKP-së për vitin 2017 duke paraparë 12 valë të shitjeve të aseteve për vitin 2017. Bordi poashtu miratoi edhe organogramin e ri të Agjencisë duke mundësuar kështu një dinamikë të re për të ardhmen.

“Ky përkushtim pasqyron zotimin e Bordit dhe Menaxhmentit të AKP-së për përshpejtim të procesit të privatizimit dhe likuidimit me qëllim të arritjes së objektivave dhe realizimit të mandatit ligjor të AKP-së. Veç kësaj, Bordi miratoi të gjitha transaksionet e SHAL 27 të mbajtur me 7 dhjetor 2016 ku u shitën 49 asete me shumë prej €5,840,724”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Ndër të tjera Bordi miratoi edhe raportin e Komisionit për Shitje të Banesave me gjithsej 24 kërkesa të shqyrtuara.

Bordi vendosi të filloj  likuidimin e 12 ndërmarrjeve shoqërore si dhe aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e kualifikuar të 3 ndërmarrjeve shoqërore si në vijim: NSH Suhareka NPJA; NSH Ekonomia Peshkatari dhe NSH Shah Kosova, në shumë prej 1,378.365€

Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve dha pëlqimin për regjistrim/bartje në librat kadastral të pronës së KBI Ereniku në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësim me numër 07/110 mënyrë që të mundësohet fillimi i punëve për ndërtimin dhe realizimin e projektit “Ngrohtorja e Re e Qytetit në Gjakovë” me fondet e IPA-së.

Poashtu Bordi miratoi edhe rezultatet e ofertimit për qiradhënie të një numër asetesh, sipas shpalljes publike të datës 21 tetor 2016.