GjeneraIi turk TRONDlT botën: Në Turqi, një e treta janë me origjinë shqiptare

18.03.2021 11:46:51

  • Nga Leonard Veizi

Pjesë nga ditari personal i Ali Ymerit, ish- diplomatit shqiptar për 20 vjet në Turqi. Diplomacia turke pranon se shqiptarët drejtuan perandorinë që pushtoi Kostandinopojën. Si u vlerësua Enver Hoxha nga turqit për çështjen e Qipros dhe qëndrimi i tyre pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës

Ali Ymeri shkruan se kënaqësia për të punuar në një vend të tillë si Turqia, ishte rezultat i një opinioni pozitiv që ndihej në të gjitha shtresat e shoqërisë turke ndaj Shqipërisë. “Pozicioni gjeopolitik që zënë të dy vendet në rajon dhe interesat e përbashkëta, që rrjedhin prej tij, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore (për shkak të sistemeve ideologjike të kundërta), këtyre marrëdhënieve u pat dhënë një përmbajtje të re simpatie e miqësie. Një ndjenjë e tillë pati zënë vend dhe mund të themi qe bërë e pranishme (pavarësisht nga qëndrimet zyrtare për shkak të sistemeve) në ndërgjegjen e çdo qytetari të thjeshtë dhe zyrtari në të dy vendet”, shkruan në ditarin e tij diplomati. Sipas tij, krejt ndryshe nga ç’thuhej e ndodhte në vende të tjera të botës së civilizuar, në Turqi shqiptarët janë njerëz të dashur e të respektuar.

Enver Hoxha merr në mbrojtje Turqinë

Ish-konsulli i Stambollit shkruan se miqësia midis dy popujve tanë u rrit sidomos dhe nga qëndrimet që mbajti qeveria shqiptare gjatë krizave të njohura të Qipros në vitet 1965-1974. Ai shton se mbështetja e bërë nga ana e Shqipërisë, nuk duhej kuptuar si një çështje emocionesh, por si domosdoshmëri për zgjidhjen e konfliktit në rrugë paqësore mes dy vendeve të interesuara, Turqisë dhe Greqisë. Mirëpo ky qëndrim rriti edhe një herë në sytë e opinionit turk respektin ndaj shqiptarëve. “Për të qenë i sinqertë, dëshiroj të theksoj se, mbas këtyre ngjarjeve, Enver Hoxha filloi të lakohej në gojët e shumë qytetarëve turq, si përfaqësues i politikës së drejtë dhe parimore në marrëdhëniet midis vendeve”, pohon diplomati.

Denoncimi i Traktatit të Varshavës

Në shënimet e tij Ali Ymeri shkruan për ndikimin mjaft pozitiv në marrëdhëniet shqiptaro-turke të politikës së kohës, të cilat u ngritën dukshëm nga pika ku kishin ndalur për shumë vite në të kaluarën, 15 vjet para Luftës së Dytë Botërore. “Impuls të fuqishëm morën këto marrëdhënie sidomos nga qëndrimi i guximshëm i qeverisë shqiptare në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së popujve nga Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës. Shkëputja nga Lindja, denoncimi dhe çmontimi i bazave të vendosura në territorin shqiptar dhe dalja nga Traktati i Varshavës (1968), u vlerësuan nga Turqia si akte që meritonin vëmendje dhe admirim. Këtyre akteve i duhet shtuar edhe qëndrimi i pavarur që mbajti vendi ynë në përkrahje të Turqisë në OKB në vitin 1965. Shtypi dhe propaganda turke këto akte i komentonin si veprime të pavarura, që buronin nga një politikë e jashtme principiale, e drejtë, pa ekuivoke, që ishte në funksion të respektimit të të drejtave dhe lirive të cilitdo vend për vetëvendosje”, shkruan diplomati.

Dhurata për Sekretarin e Parë

Ali Ymeri shkruan se ishte kuptimplotë gjesti i kryetarit të Bashkisë së qytetit Golxhuk në brigjet e gjirit të Izmirit, i cili, me rastin e vizitës së ansamblit artistik “Rozafa” të Shkodrës (1981), në shenjë të mirënjohjes e miqësisë ndaj Shqipërisë dhe udhëheqësit të saj, Enver Hoxha, më dorëzoi për të një bust të Qemal Ataturkut. “Kjo atmosferë e krijuar në ato vite, nuk qe as e para dhe as e fundit. Ansamblet tona si dhe grupe të tjerë artistikë, ndryshe nga ato të vendeve të tjera pjesëmarrëse të festivaleve të organizuar nga Turqia, duartrokiteshin në mënyrë më të ngrohtë dhe me tifozllëk të jashtëzakonshëm.

Çlirimi nga paragjykimet

Ali Ymeri thotë se janë të panumërt personalitetet, që kontribuuan shumë, sidomos pas viteve ’60-të në forcimin e miqësisë turko-shqiptare dhe që i dhanë kësaj, duke e çliruar nga paragjykimet ideologjike, një përmbajtje të re. Në shënimet e tij, ai evidenton disa prej tyre: “Prof.dr. Neshit Erez, mjek gjinekolog me emër në Turqi, me origjinë tepër të lashtë shqiptare, fliste për prejardhjen e tij sikur të kishte emigruar ato ditë nga Prizreni për në Turqi.

Po aq të angazhuar e të përkushtuar e shikonim forcimin e miqësisë mes dy popujve tanë edhe personalitete të tjerë si Barllas Kumtay, deputet dhe ministër i Turizmit në disa qeveri, Qerim Gokai, ish-ministër e Vali i Stambollit, Haluk Chilloi, profesor e dekan në Universitetin e Stambollit, për një kohë, ministër i Tregëtisë, i nderuari Tasin Osguc, për një kohë të gjatë rektor i Universitetit të Ankarasë, etj”. Për sa i përket marrëdhënieve me median Ali Ymeri shkruan: “Gazetarët, pa as më të voglin kompleks, kanë shkruar me objektivitet dhe respekt për vendin tonë. Midis tyre dëshiroj të kujtoj Burhan Felek, kryetar i Bashkimit të Gazetarëve turq, Nadir Nadi, gazetar dhe pronar i gazetës “Xhumhuryet” (Republika), që kishte filluar të botohej që në vitet e përmbysjes së Sulltanatit. Jehonë të fuqishme gjatë këtyre viteve patën edhe shkrimet e botuara në mjaft gazeta me emër e tirazh të madh”

Turqia pranon se është shtypur nga Shqipëria

Ndryshe nga kombet e tjerë, shqiptarët janë më të pranishëm në strukturat shtetërore dhe të integruar plotësisht në shoqërinë turke. Në një rast domethënës diplomati shqiptar, Ali Ymeri shkruan: “Me rastin e 500- vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në vitin 1968, ambasadori i atëhershëm turk në Shqipëri, Ruzhdie Vejseli i kërkoi takim zotit Reiz Malile, atëherë zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në këtë takim u ndodha edhe unë, meqë puna ime në Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhej edhe me Turqinë.

Ambasadori Vejseli, sa hyri, iu drejtua zotit Reiz: “Eh, keni më për të folur kundër Turqisë”? Kuptohet që gjatë këtij jubileu u fol natyrshëm për të kaluarën 500-vjeçare. Por e keqja ishte se në propagandën tonë Turqia moderne njehsohej me perandorinë Osmane. Zoti Reiz, pasi u përshëndet me të, i tha: “Kjo propagandë nuk ka të bëjë aspak me Turqinë moderne, të krijuar si rezultat i luftës çlirimtare që organizoi e zhvilloi populli turk me Ataturkun e madh e që përfundoi me rrëzimin e Sulltanit, por me Perandorinë Osmane”.

Përgjigja me sa dukej e kënaqi. Duke qeshur, ambasadori vazhdoi: “Sa për mua nuk e dimë se kush e ka shtypur njëri-tjetrin, pasi në atë periudhë, duke filluar nga sadrazemet (kryeministrat), vezirët (ministrat), gjer te gjeneralët e shumtë dhe, në përgjithësi, administrata shtetërore turke ka qenë e predominuar nga shqiptarët”… Ky keqkuptim u evitua, por duke nxjerrë në shesh edhe një të vërtetë të madhe për dominimin e elementit shqiptar në administratën gjigante të Perandorisë Osmane.