Gjermani, goditet grupi i ekstremit të djathtë i gatshëm për sulme

25.01.2017 18:22:20

Rreth 200 policë gjermanë kanë bastisur dhjetëra shtëpi në gjashtë shtete federale të mërkurën në kuadër të hetimeve ndaj të paktën një grupi të ekstremit të djathtë, raporton Reuters.

Bastisjet janë kryer ndaj gjashtë personave që dyshohen se planifikonin sulme me armë ndaj policisë, hebrenjëve dhe azilkërkuesve, njofton zyra e prokurorit.

Deri më tash nuk është thënë nëse është arrestuar ndokush gjatë këtyre operacioneve policore.

Prokuroria nuk e ka identifikuar as grupin pjesë e të cilit janë të dyshuarit, por mediat gjermane raportojnë se bastisjet janë kryer kundër pjesëtarëve të një grupi që e quan vetën “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”.

Grupi nuk e njeh Gjermaninë e sotme si shtet legjitim pasi mendon që “Rajhu Gjerman” me më shumë territor është ende gjallë, megjithë humbjen e Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bastisjet e të mërkurës u kryen në Berlin, Baden-Wuerttemerg, Brandenburg, Saksoni të Ulët, Rhineland-Palatinate dhe Sachsen-Anhalt.